mendo globalisht,
vepro lokalisht

2004

Gjatë vitit 2004 organizata zhvilloi aktivitetet e filluara gjatë vitit 2003 dhe u zgjerua në aktivitete tjera që në bazë kishin për qëllim forcimin e rrjetit KIP. Këtë vit u vazhdua mbajtja me sukses e aktiviteteve që kishin në bazë gazetarinë, informimin dhe avokimin: mbajtjen e portalit të Oneworld, publikimin e “Kasnecit” tashmë krejtësisht vet dhe vazhdimësinë e shkollës së gazetarisë.

Në vitin 2004 u punua në forcimin e rrjetit KIP, krijimin e strategjisë dhe koordinimin e punës mes vet organizatave anëtare për projektet e së ardhmes. Me këto aktivitete që janë mbajtur në një shtrirje edhe jashtë Kosovës, janë identifikuar mirë liderët e ardhshëm rinorë që vetëm në kuadër të projektit, por edhe për të udhëhequr projektet në vazhdim. Derisa aktivitetet lidhur me gazetarinë e shtuan numrin e të rinjve dhe anëtarëve të kyçur në punën e organizatës, aktivitete në kuadër të KIP-it ngritën kapacitetet e organizatës dhe krijuan partneritete me organizata mjaft aktive të rajonit.

Në kuadër të RrRP në projektin Iniciativa e të Rinjve për pajtim u zhvilluan disa aktivitete: Fushata kundër AIDS-it, Fushata për Tolerancën, Fushata për Zgjedhjet 2004, një kampin multietnik, shtypja e informatorit etj. Në trajnimin për trajnerë të mbajtur në Kotorr janë certifikuar 17 trajnerë të RrRP që kanë krijuar Njësinë e trajnerëve të Rrjetit. Kjo njësi ka marrë pjesë në aktivitetin e asambleve të rinjve të komunave të ndryshme të Kosovës që është organizuar nga OSBE në Zhablak të Malit të Zi. Me 240 të rinj të asambleve komunale nga këta trajnerë janë mbajtur trajnime me temën Udhëheqja Bazuar në Vlera.

Për dallim nga vitet e kaluara kur informimi dhe rinia ishin sektorët kryesor të aktivitetet të organizatës gjatë vitit 2004 angazhimi në komunitet në një kuptim më të gjerë ishte në radhë të parë, duke krijuar bazën që në vitet në vazhdim të ndërhyhet direkt në komunitet dhe të ndikohet te autoritetet në emër të komunitetit.

Në janar të vitit 2004, krijohet partneritet me organizatën “KACI”, për implementimin e projektit për Monitorimin e Asambleve Komunale të Pejës dhe Istogut. Gjatë vitit 2004 është monitoruar e gjithë puna e këtyre dy kuvendeve dhe është raportuar për të gjitha seancat e asambleve komunale dhe takimeve publike që kanë mbajtur këto institucione.

Syri i Vizionit ka marrë pjesë në projektin e SHHB “Nënë Tereza” nga Kosova dhe Qendrës për Regjionalizim nga Novi Sadi për vazhdimin e ngritjes së dialogut civil mes Kosovës dhe Serbisë.

Në Gusht të vitit 2004 është reaguar në formë proteste për mbajtjen e zgjedhjeve me lista të mbyllura. Organizata jonë ka pasur një platformë se si duhet të dukeshin zgjedhjet qeveritare ne vitin 2004, mirëpo kjo nuk ka gjetur mbështetje nga organet, edhe pse atyre u është sqaruar nevoja që listat zgjedhore të jenë të hapura.


 

 

Dhjetë radio debate në funksion të ngritjes së vetëdijes qytetare për problemet e shoqërisë

Titulli i Projektit: Dhjetë radio debate në funksion të ngritjes së vetëdijes qytetare për problemet e shoqërisë

Kohëzgjatja: 3 muaj (mars-maj 2004)

Vendi: Komuna e Pejës

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit në bashkëpunim me OSBE

Buxheti: përmes OSBE

Qëllimi i projektit: Të ndikojë në opinion për rëndësinë e problematikave të ndryshme që mundojnë shoqërinë kosovare në atë periudhë, të sensibilizojë për dhjetë problemet kryesore dhe të ndikojë tek autoritetet për aktivizim në këta sektorë.

Përfituesit: Përfituesi i projektit është opinioni i gjerë qytetar që përmes këtyre debateve është informuar për problematikat ekzistuese dhe punën që po bëhet në zgjidhjen e tyre, përkatësisht organizatat joqeveritare që në ballafaqim me autoritetet kanë paraqitur punën e tyre para autoriteteve komunale dhe para publikut të gjerë. Realizimi i projektit: Projekti është realizuar përmes një seri radio debateve që janë mbajtur në studiot e Radio Pejës. “Syri i vizionit” ka aranzhuar çdo javë nga një debat në të cilin autoritetet janë vënë përballë qytetarëve, shoqërisë civile me qëllim të debatimit për problemet aktuale dhe kërkimit të zgjidhjes së tyre. Debate janë mbajtur për temat: demokratizimi, të drejtat e grave, siguria, liria e lëvizjes, etj

Aktivitetet dhe Rezultatet:

  • Dhjetë debate kanë ngritur problemet më aktuale të shoqërisë.
  • Autoritetet janë informuar me punën që po bëhet në këta sektorë dhe me kërkesat që kanë qytetarët për zgjidhjen e këtyre problemeve.
  • Organizatat e shoqërisë civile dhe komuniteti kanë paparaqitur kërkesat e tyre në sektorët e sigurisë, barazisë, etj. 
  • Publiku i gjerë është informuar për angazhimin për funksionimin e komunës me organet tjera, si dhe koordinimin e punëve për zgjidhjen e problemeve
Buletini informativ avokues – Kasneci/Glasnik

Titulli i Projektit: Buletini informativ avokues – Kasneci/Glasnik

Kohëzgjatja: 12 muaj (maj 2004 – prill 2005)

Vendi: Rajoni i Pejës (komunat: Pejë, Klinë, Deçan dhe Istog)

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit (në kuadër të Rrjetit Rinor)

Buxheti: 20,000 €

Donatori: Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE)

Qëllimi i projektit: Përmes publikimit të një serie të buletinit informativ, ky projekt synon të ngrisë vetëdijen e publikut dhe pushtetit lokal në rajonin e Pejës. Gjithashtu, mëton përmirësimin e kualitetit të jetës dhe efikasitetin e veprimeve qytetare, si rrjedhojë, llogaridhënien dhe performancën e strukturave komunale.

Përfituesit: Përfitues të drejtpërdrejtë të kësaj ndërmarrjeje janë të gjithë ata që shprehin brengat, zëri i të cilëve dëgjohet (nga të gjitha komunitetet), dhe që si rrjedhojë mund të rezultojë në përmirësimin e kushteve si infrastrukturore ashtu edhe jetësore. Gjithashtu, të gjithë atë të targetuar si të rinjtë dhe të moshuarit përfitojnë nga informacioni i thuktë që ofrohet. Më gjerësisht, qytetarët e rajonit të Pejës (duke përfshirë Pejën, Deçanin, Istogun dhe Klinën) përfitojnë nga informacioni i ofruar nga një perspektive ndryshe (të shoqërisë civile) prej asaj që janë mësuar të marrin nga burimet zyrtare në këtë rajon. Për më tepër, individë të rinj dhe të talentuar kanë mundësinë të marrin pjesë në këtë publikim duke ofruar shkrimet e tyre.

Realizimi i projektit: Botimi i "Kasnecit" bëhet i mundur nga mbledhja e informatave dhe hartimi i shkrimeve nga ekipi i gazetarëve, dhe pas redaktimit dhe dizajnimit, gazeta shpërndahet falas për qytetarët në më se 100 pika të frekuentuara nëpër qytete dhe fshatra. Gazeta botohej në gjuhën shqipe dhe boshnjake-serbe. Kasneci ka ndihmuar në krijimin e urave lidhëse në mes të qytetarëve dhe strukturave komunale përmes përkrahjes, monitorimit, aktiviteteve të avokimit dhe krijimit të rrjeteve formale apo jo-formale në komunën e Pejës. Me dy faqe për komunitetet pakicë dhe botimin dygjuhësh, "Kasneci" ka ndihmuar dialogun ndëretnik dhe kontaktin e ndërsjellë mes komuniteteve. Kasneci nga kjo fazë ka angazhuar gazetarë profesionistë. Politika redaktuese mbështetej në tri linja: funksionimi i institucioneve, aktivitetet e shoqërisë civile dhe pasqyrimi i jetës së qytetarëve.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

Publikimi i 12 numrave të “Kasnecit” nga 12 faqe secila në gjuhën shqipe dhe boshnjake-serbe (4000 për numër në shqip dhe 400 në boshnjako-serbe);

• Ne secilin numër publikimi i rreth 30 artikujve që trajtojnë probleme të jetës së qytetarëve, funksionimit të institucioneve dhe aktiviteteve të shoqërisë civile

• Mbulimi me nga dy faqe me 3-4 artikuj për secilën komunë Pejë, Deçan, Klinë dhe Istog dhe dy faqe për komunitetet pakicë

• Punësimi i tetë gazetarëve vazhdimisht

• Ngritja e problemeve dhe avokimi për çështje të ndryshme të komunitetit. Ka pasur mjaft raste kur shkrimet në gazetë kanë nxitur veprim nga ana e autoriteteve

• Ngritja e vullnetarizmit në mes të grupeve rinore dhe shkrimit të artikujve

• Publikimi i një faqe me letra të qytetarëve

Krijimin e lidershipit rinor për kthim

Titulli i Projektit: Krijimin e lidershipit rinor për kthim

Kohëzgjatja: 4 muaj (korrik – tetor 2004)

Vendi: Kosovë, Serbi dhe Mal i Zi

Organizata(t) zbatuese: "Syri i Vizionit" në partneritet me "Grupa 484" nga Beogradi, Serbi

Buxheti: 15,000 €

Donatori: Ministria e Punëve të Jashtme të Danimarkës përmes Programi i Iniciativës Kosovare (KIP)

Qëllimi i projektit: Ky projekt u realizua me qëllim që të krijojë komunikim ndërmjet grupeve të të rinjve nga Kosova dhe Serbia. Kjo do të arrihej përmes takimeve të përbashkëta dhe aktiviteteve të përbashkëta me qëllim të ndryshimit të klimës për kthim për të lehtësuar procesin e kthimit. Projekti ishte dizajnuar për të ndihmuar në krijimin e shoqërive multietnike dhe tolerante në të dy regjionet.

Përfituesit: Përfitues të drejtpërdrejtë janë aktivistët e rinj të cilët gjenerojnë ide dhe punojnë për forcimin e grupeve tjera. Këto grupe të rinjve ishin nga Peja dhe fshatrat rreth saj si dhe nga grupet e refugjatëve nga kjo zonë që jetonin në Serbi. Projekti krijon 12 grupe në Kosovë dhe Serbia, konkretisht në Pejë dhe Beograd.

Realizimi i projektit: Projekti përmbante aktivitete siç janë krijimi i dy grupeve të të rinjve në moshë prej 16-23: 24 të rinj nga komuniteti pritës dhe 24 nga të rinjtë e zhvendosur në Serbi. Veç kësaj, ishte organizuar një hulumtim duke përfshirë 200 të rinj nga të dy regjionet (100 për regjion); për 12 fokus grupet nga Kosova dhe Serbia disa trajnimeve/punëtori mbi paqen, tolerancën, bashkë-jetesën dhe komunikim; dhe një kamp i përbashkët.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Ngritja e vetëdijes mbi rëndësinë e kthimit të personave të zhvendosur;

• Organizimi dhe mbajtja e trajnimeve me 12 grupe nga Kosova dhe Serbia në temat e lartë-shënuara;

• Ndihmesë në krijmin e rrjeteve në mes të rinjve shqiptar dhe serb në punën drejt integrimit dhe kthimit;

• Familjarizimi i 48 të rinjve nga komuniteti pritës dhe të kthyerit mbi ngjashmëritë dhe dallimet në mes kulturave;

• Ngritja e bashkëpunimit në mes komuniteteve;

Koordinimi i rrjetit të OWPSEE për Kosovë

Titulli i Projektit: Koordinimi i rrjeti të OWPEJL-së për Kosovë

Kohëzgjatja: 12 muaj (janar – dhjetor 2004)=

Vendi: Kosovë

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit

Buxheti: 11,700 €

Donatori: Unimondo/Hivos

Qëllimi i projektit: Përkrahja dhe promovimi i fushave të programit të OWPEJL (projektet dhe nismat) me fokus në krijimin e përmbajtjes së materialeve për publikimin në gjuhën shqipe si dhe menaxhimin e rrjetit/përfaqësimin për Kosovë të OWPEJL-së. Koordinimi i aktiviteteve do të bëhet përmes rrjetit të OneWorld në rajonin e Evropës Juglindore.

Përfituesit: Përfitues të kësaj ndërmarrjeje janë të gjitha ato vende që i qasen përmes internetit OWPEJL dhe kështu njoftohen në mënyrë të shpejtë për zhvillimet që ndodhin në rajonin që mbulon OWPEJL si dhe në gjuhët e veçanta të lexuesve të këtyre vendeve.

Realizimi i projektit: Ky projekt bazohet në ofrimin e përkrahjes përmes shkëmbimit të informatave dhe materialeve online dhe të shtypura që kanë të bëjnë me fushat e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë dhe informimit të publikut. Përveç kësaj, OWPEJL u mundëson lexuesve të marrin informata në lidhje me zhvillimet e ndryshme sociale, ekonomike dhe politike në vendet që mbulon. Komunikimi në mes anëtarëve të rrjetit bazohet në partneritetin, ku çdo organizatë shkëmben informatat dhe materialet për shpërndarje të koordinuar.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Mbajtja dhe mbulimi i portalit në gjuhën shqipe të OWPEJL

• Publikimi i më tepër se 100 temave/çështjeve dhe publikimi në gjuhën shqipe. Këto informata më tej përkthehen edhe në gjuhët e vendeve ku shtrihet OneWorld;

• Angazhimi i rregullt i një personi (menaxher rrjeti) dhe redaktor;

• Ngritja e diversitetit të informatave të ofruara për vendet që mbulon platforma OWPEJL.

Shkolla e gazetarisë në Pejë

Titulli i Projektit: Shkolla e gazetarisë në Pejë

Kohëzgjatja: 12 muaj (Maj 2003 – maj 2004)

Vendi: Komuna e Pejës

Organizata(t) zbatuese: "Syri i Vizionit" në partneritet me Qendrën Rinore "ZOOM" në Pejë

Buxheti: 5.863 € (2,500 + 1,200 + 2,163)

Donatori: "Trentino con il Kossovo" dhe kontributi nga pjesëmarrësit

Qëllimi i projektit: Ky projekt përmes trajnimeve u ka ofruar mundësi të mësojnë profesionin atyre të rinjve që aspirojnë të merren me gazetari. Projekti përbëhej nga pjesa teorike dhe praktike dhe është mbajtur nga gazetarë profesionistë dhe me përvojë në gazetari nga Kosova dhe Italia. Tema që janë mbuluar gjatë kësaj periudhe të trajnimeve, kanë qenë zhvillimi i lajmit, përgatitja e raporteve, gazetaria hulumtuese dhe kodi i etikes.

Përfituesit: Përfitues të drejtpërdrejtë (direkt) janë 25 të rinj që kanë ndjekur këto kurse. në një kuptim më të gjerë përfiton gazetaria dhe informimi i qytetarëve në rajonin e Pejës.

Realizimi i projektit: Ky projekt ka përfshirë organizimin e një serie gjithëpërfshirëse të trajnimeve në gazetari nga gazetarë me përvojë nga Kosova dhe nga Italia. Projekti është realizuar në disa faza. Fillimisht për vijuesit e shkollës ka pasur një kurs katër mujor të gazetarisë së përgjithshme për të krijuar konceptin mbi gazetarinë klasike, ka pasur ligjërata nga lajmi e deri tek reportazhi, për të vazhduar më pas me seminare dhe trajnime nga degët e ndryshme të gazetarisë si gazetaria kulturore, ekonomike, televizive me ligjërues nga media të ndryshme kosovare.Pas kësaj me trajnerë nga Kosova dhe Italia ata janë njohur me gazetarinë moderne që njihej edhe si fazë e shkëmbimit gazetaresk. Kursi ka vijuar me gazetarinë informatike ku kryesisht është punuar në një veb faqe gazetareske.Pas përfundimit të kursit vazhdimësia e projektit është bërë me botimin e gazetës “Kronika” nga vet studentët e gazetarisë, që është vazhduar si projekt në vitin 2005.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Organizimi dhe trajnimi i dy grupeve me 25 pjesëmarrës në total të moshës prej 17-35;

• Ngritja e nivelit të njohurive në gazetari për të gjithë atë të interesuar të punojnë në gazetari;

• Krijimi i mundësisë për punësim për këta pjesëmarrës;

• Botimi i katër numrave të gazetës "Kronika" nga vijuesit e kursit

• Punësimi afatgjatë i së paku 4 pjesëmarrësve pas vijimit të trajnimit në gazetat ditore, TV dhe Radio.

Zhvillimi i Strategjisë Rinore për vitin 2005

Titulli i Projektit: Zhvillimi i Strategjisë Rinore për vitin 2005

Kohëzgjatja: 1 muaj (shtator 2004)

Vendi: Mal i Zi

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit organizatë lidere në bashkëpunim me "Youth Initiative Mitrovica" (YIM)

Buxheti: 21,376 €

Donatori: Ministria e Punëve të Jashtme të Danimarkës përmes Programi i Iniciativës Kosovare (KIP)

Qëllimi i projektit: Në kuadër të këtij projekti që në bashkëpunim me "Youth Initiative Mitrovica" është bërë organizimi i një takimi tre ditor në Mal të Zi me përfaqësuesit e OJQ-ve partnere të KIP-it. Ky takim ka ofruar mundësi për zhvillimin e strategjisë një vjeçare për komponentën e KIP-it - "Zhvillimi i Rinisë" që është hartuar me ndihem e trajnerëve profesionistë. Kjo përkrahje teknike u ka ndihmuar anëtarëve të KIP-it të forcojnë lidhjet në Rrjet në mes të partnerëve në kontekstin ndër-kufitar dhe t’i përgatisë ata për aktivitetet që vijnë në vitin 2005. Më konkretisht, ky takim tre ditor ka mbledhur idetë dhe shkëmbimin e përvojave në mes të anëtarëve të KIP-it, si dhe ka ofruar një trajnim formal me qëllim të zhvillimit të strategjisë së sipër-përmendur për vitin 2005. Gjatë takimit është xhiruar një film dokumentar dhe është publikuar një buletin që ka ndihmuar në ngritjen e dukshmërisë së aktiviteteve të Rrjetit të KIP-it.

Përfituesit: Numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve ka qenë 44, duke përfshirë 2 përfaqësues apo liderë rinorë nga secila prej 17 organizatave të Rrjetit të KIP-it dhe 10 persona përkrahës (1 përkthyes, 2 trajner, 2 ndihmës trajnera dhe 5 persona për të koordinuar projektin dhe ndihmuar në grupet punuese).

Realizimi i projektit: Projekti ka qenë një aktivitet për hartimin e Strategjisë Rinore për vitin 2005, ashtu siç ishte diskutuar dhe vendosur nga anëtarët e Rrjetit të KIP-it. Projekti përfshinte trajnimin dhe koordinimin në mes të anëtarëve të rrjetit për një sinkronizim më të mirë të aktiviteteve. Deri në organizimin e këtij takimi, çdo organizatë pjesëmarrëse është zotuar se ka përcaktuar idenë për ta përfshirë në Strategji. Çdo organizatë partnere e KIP-it kishte zgjedhur nga një person nga stafi i përhershëm, që ka përvojë të dëshmuar në fushën e zhvillimit të rinisë dhe nga një vullnetar.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Hartimi dhe dorëzimi i Strategjisë Rinore tek donatori dhe anëtarët e rrjetit;

• Forcimi i koordinimit dhe përgjegjësive brenda rrjetit dhe në raport me palët me interes;

• Përgatitja e një filmi dokumentar me materiale nga sesionet e takimit;

• Përgatitja dhe publikimi i Buletinit prej 28 faqeve në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze.