mendo globalisht,
vepro lokalisht

Projektet në vitin 2001

Zyrtarisht organizata me emrin e tanishëm u regjistrua në shtator të vitit 2001. Kërkesa ishte bërë që në muajin qershor. Regjistrimi sipas ligjeve të asaj kohe bëhej në Zyrën për regjistrimin e OJQ-ve në UNMIK, ku organizata u regjistrua me numrin 5101044-2. Me aktin e regjistrimit, organizata mori edhe zyrtarisht emrin që ka sot “Syri i Vizionit”. Organizata atë kohë mblidhte rreth 40 aktivistë vullnetarë.

Përcaktimi i misionit dhe vizionit të organizatës

Në këtë periudhë ishin përcaktuar vizioni i organizatës, misioni i saj dhe objektivat, që pak shumë mbesin të tilla edhe në ditët e sotme. OJQ “Syri i Vizionit” është organizatë për qëllim ka promovimin e demokracisë lokale dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në Kosovë, me përqendrim në regjionin e Pejës. Në përpjekjet e vazhdueshme për të implementuar praktika demokratike, OJQ “Syri i Vizionit” i jep rol të veçantë promovimit të qeverisjes së mirë, përgjegjësisë, transparencës dhe pjesëmarrjes në sferat e ndryshme të shoqërisë civile. Në praktikë, projektet e OJQ “Syri i Vizionit” kërkojnë themelimin e një lidhje të vazhdueshme në mes të autoriteteve komunale dhe akterëve të shoqërisë civile në nivel individual ose institucional. Objektivat e organizatës që u përcaktuar prej kësaj periudhe janë: - Përgatitja dhe përhapja e informacionit të besueshëm dhe të testuar tek qytetaret; - Promovimi i vetëdijes publike lidhur me problemet urgjente sociale tek masa e gjerë, nëpërmjet veprimeve që rrisin vetëdijen; - Përkrahja e qytetarëve me avokim/mbrojtje dhe aftësi për lobizim dhe punë ekipore/të rrjetëzuar në mënyre që t’i praktikojnë të drejtat e tyre elementare dhe të mund të sfidojnë institucionet.

Revista

Edhe pse nuk ishte aktiviteti i vetëm, gjatë vitit 2001 botimi i revistës vazhdoi të jetë aktiviteti kryesor i organizatës. Përmes revistës ‘Vizioni’ i ofronte lexuesit artikuj dhe analiza që hapnin për debat problemet e shoqërisë, adresonin rrugët e zgjedhjes së problemeve dhe mobilizonte rininë në aktivitet të përbashkët për zgjidhjen e problemeve. Revista rinore “Vizioni” ishte një forum i hapur për të gjithë të interesuarit që dëshironin të merrnin pjesë dhe ofroheshin në këtë projekt. Ky ishte projekti më i rëndësishëm i organizatës në atë kohë. Deri në fund të vitit revista kishte botuar edhe numrin e 14. Përveç USAID-it këtë vit ishte ofruar edhe një tjetër donator, punën e organizatës tashmë e përkrahte edhe KFOS. Artikujt që trajtonte revista ishin lidhur me problemet rinore, barazinë gjinore, demokratizimin , avokim, të drejtat e njeriut, pengesat jetësore, arsimim, aktivitete, vizione, ambient, shoqëri të hapur, artikuj nga fusha e artit, ambientit, turizmit, kundër-trafikimit, modës, sportit, kulturës dhe çështje tjera shoqërore. Revista bëri edhe fushatë për pjesëmarrje në zgjedhje, në zgjedhjet e para të lira që po mbaheshin ndonjëherë në Kosovë. Grupi cak ishin të rinjtë prej moshës 14-28.

Java rinore

Ndër projekte tjera të zbatuara gjatë këtij viti ishte organizimi i Javës Rinore në shtator të vitit 2001. Projekti realizohej në kuadër të bashkëpunimit dhe krijimit të partneritetit me institucione të ndryshme. Aktiviteti i “Javës Rinore” organizohej nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport dhe në bashkëpunim me Komunën e Pejës dhe në të merrnin pjesë shumë organizata. “Syri i Vizionit” në këtë aktivitete mori pjesë me organizimin e një paraqitje në Shkollën Speciale për të Verbër “Dr. Xheladin Deda” në Pejë. Në këtë shkollë që është e vetmja shkollë e këtij lloji në Kosovë, u përgatit një program artistik në të cilin morën pjesë edhe autoritetet e komunës, zyrtarë të arsimit dhe të tjerë. Programi ishte përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle dhe përmbante pjesë muzikore nga vet nxënësit, recitime, dhe punime të ndryshme në pikturë, etj. Në fund u organizua një koktej për të gjithë të ftuarit dhe pjesëmarrësit.

Vizion Party

Një tjetër formë e aktivitetit në këtë periudhë ishte organizimet e hapura me të rinj. "Vizion party" ishte një mundësi për të mbledhur rininë, për t'i bashkuar rreth vizionit të organizatës. Për më shumë në kohën kur në Pejë dhe Kosovën e pasluftës ende nuk kishte organizime, këto mbrëmje ishin një mënyrë për të ngadhënjyer mbi shkatërrimin dhe vuajtjen e që kishte lënë lufta, ishte një mënyrë që të rinjtë të organizohen për ta shijuar lirinë. Mbrëmjet e të rinjve ishin shndërruar në aktivitete që mblidhte energjinë e mijëra të rinjve nga Peja dhe e orientonte në aktivizim. Sepse këto takime kishin edhe komponentat e kreacionit. Ato ishin edhe "party", edhe ekspozita të piktorëve, edhe sfilata mode, e prezantime sportistësh. Pas një ankete të gjatë të revistës, Vizioni zgjidhte talentet e vitit në fusha të ndryshme, personazhin e vitit, çiftin më të votuar, modelin e vitit, sportistin... “Vizioni” krijonte garën ku merrnin pjesë shumë veta dhe inkurajonte ata që veçoheshin mes grupit. Për më tepër, në muajin shtator u mbajt koncerti për të shënuar themelimin e organizatës dhe punën e realizuar nga “Syri i Vizionit”. Në këtë aktivitet morën pjesë afro 1000 persona. Kjo ishte një mundësi për të promovuar punën që ishte bërë, si dhe për planet në të ardhmen. Merrnin pjesë autoritetet e pushtetit, autoritetet ndërkombëtare dhe një numër i madh i artistëve të shquar: "Etno engjëjt", "Marigona", Adelina Thaçi, Dany Boy, Geza & Edi King, Petrof, Ritmi i jetës, Fjolla Lika, Shekulli XXI, Generation X, M4, personalitete si sportisti Enver Idrizi dh Miss Kosova 2001 Mimoza Harxhi dhe valltarët e Art Design e Tika Dance.