mendo globalisht,
vepro lokalisht

Punëtori për fuqizim e mekanizmave për të drejtat e fëmijëve në shkollën Zekeria Rexha

21.11.2013

Gjakovë, 21 nëntor -  Organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” ka  mbajtur punëtori me këshillin e shkollës fillore “Zekeria Rexha” në Gjakovë, për hartimin e strategjisë për funksionalizim më të mirë të mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe fuqizimin e tyre.
Kjo punëtori është parë nga ana e këshillit të shkollës mësimdhënës, nxënës dhe prindër, si mjaft e rëndësishme për ta dhe shkollën që do t’i ndihmojë shkollat të krijojnë mekanizma funksionalë dhe ambiente më të sigurta brenda objekteve shkollore.
Kjo punëtori është mbajtur në kuadër të projektit “Together 4 children rigts- Childprotection and Child Right Governance”, që është duke u implementuar nga Organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” nga Peja, mbështetur nga Save the Children International dhe SIDA.
Projekti  ka për qëllim të ndihmojë fëmijët, shkollat dhe organizatat e ndryshme në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, t’i shndërrojë shkollat në vende të sigurta për fëmijët dhe të ndihmojë krijimin dhe forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve.
Punëtori të tilla do të mbahen edhe me këshillat e shkollave fillore“Ramiz Sadiku” dhe “Xhemail Kada” në Pejë, “Mustafa Bakia” dhe “Zekeria Rexha” në Gjakovë,  “Tefik Çanga” dhe “Jeronim De Rada” në Ferizaj dhe “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë.