mendo globalisht,
vepro lokalisht

Fëmijët trajnohen për parandalim dhe mbrojtjen nga ngacmimet

12.09.2014

Prishtinë, 11 Shtator- Fëmijët jo rrallë janë viktima të ngacmimeve nga bashkëmoshatarët e tyre, mësimdhënësit apo personat më të rritur se ata. Shumë shpesh ata nuk dinë se ku të adresojnë këtë dukuri shqetësuese, që mund të ndodhin në ambientet shkollore, në rrugë, e madje edhe në familje. Lidhur me këtë organizata Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children kanë mbajtur një trajnim me grupin e fëmijëve dhe përfaqësues të këshillit drejtues të shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Naim Frasheri” në Prishtinë.
Fëmijët dhe përfaqësuesit e këshillit drejtues të shkollës kanë mësuar për temën: “Ngacmimet dhe Mbrojtjen e Fëmijëve prej tyre” duke u njohur më gjerësisht më llojet e ngacmimeve, format dhe mënyrat më të shpeshta të ngacmimeve, pasojat dhe ndikimin e ngacmimeve tek fëmijët si dhe për masat parandaluese të ngacmimeve, si nga ana e menaxhmentit të shkollës po ashtu edhe nga institucionet tjera qeveritare dhe joqeveritare.
Fëmijët gjatë këtij trajnimi kanë treguar raste të ndryshme të ngacmimeve që u kanë ndodhur apo që kanë dëgjuar se mund t’u kenë ndodhur bashkëmoshatarëve të tyre në shkollën e tyre apo edhe jashtë shkolle. Të ndarë në grupe ata kanë  listuar shqetësimet e tyre lidhur me ngacmimet nga vetë fëmijët tjerë apo edhe nga personat e rritur.
Ky trajnim është mbajtur në kuadër të programit “Child Protection” ku organizata Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children është duke realizuar në pesë komuna të Kosovës duke përfshirë edhe komunën e Prishtinës, përmes punës dhe aktiviteteve të drejtpërdrejta më fëmijët dhe menaxhmentin e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta “Naim Frasheri” dhe “Ismail Qemali” si dhe më institucionet përgjegjëse për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve.