mendo globalisht,
vepro lokalisht

Bizneset nënshkruajnë marrëveshje me Shkollën Ekonomike për praktikën profesionale

27.11.2014


Pejë, 27 nëntor- Shkolla e mesme ekonomike dhe bizneset e hotelerisë dhe turizmit në Pejë kanë shprehur interesimin për të bashkëpunuar në krijimin  kushteve më të mira për zhvillimin e praktikës profesionale për nxënësit e kësaj shkolle. Takimi i organizuar në kuadër të projektit Mismatch nga organizata Syri i Vizionit kishte për qëllim që të krijojë kushte për bashkëpunim më të mirë të Shkollës së mesme ekonomike me bizneset e Pejës për nxënësit në drejtimet e hotelerisë dhe turizmit. Për këta nxënës janë krijuar kushte që të angazhohen si praktikantë nëpër bizneset e komunës, ndërsa në takim Shkollës i janë dorëzuar 20 marrëveshje të arritura nga SiV me biznese të hotelerisë dhe organizata të turizmit, që kanë nënshkruar për gatishmërinë për bashkëpunimin me shkollën.

Përfaqësuesit e shkollës kanë thënë se ka nevojë të ketë një sistem të përhershëm bashkëpunimi me bizneset me interes të dyanshëm, kurse përfaqësuesit e bizneseve kanë shprehur kërkesat e tyre në lidhur me angazhimin e praktikantëve. Çështje tjera që u diskutuan ishin transporti i nxënësve, shkollimi i femrave për turizëm, monitorimi i praktikës së nxënësve, plotësimi i dokumentacionit nga pronarët e bizneseve për nxënësit praktikantë, bashkëpunimi me Komunën dhe koordinime tjera të punës mes shkollës dhe biznesit.
Projekti “Mismatch” zhvillohet prej katër vjetëve në Kosovë me financim nga Solidar Suisse dhe ka për qëllim përshtatjen e shkollave profesionale me tregun e punës.