mendo globalisht,
vepro lokalisht

Fëmijët e shkollës “Thimi Mitko” njoftohen me format e dhunës dhe metodologjinë e parandalimit të saj në shkollë

30.04.2015

Gjilan-30 Prill – Është mbajtur trajnimi i parë më fëmijët e shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Thimi Mitko” në Gjilan, më qëllim të vetëdijesimit të tyre për format e dhunës dhe metodologjinë e parandalimit dhe adresimit të dhunës në mekanizmat që ka shkolla për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna.
Fëmijët e pranishëm në këtë trajnim përpos mekanizmave në shkollë nuk kishin njohuri se mund ta adresojnë dhunën edhe në institucionet apo mekanizmat jashtë shkolle, pasi që atyre nuk u janë ofruar informacione për institucione tjera jashtë objektit shkollor ku mund të raportojnë rastet e dhunës.

Ata kanë treguar shembuj të ndryshëm të dhunës që kanë ndodhur në shkollën e tyre në mes të bashkëmoshatarëve, e në disa raste edhe nga disa mësimdhënës, për çka ata më parë kishin bërë ankesa tek kujdestari i klasës dhe drejtoresha e shkollës.
Fëmijët janë shprehur se ky trajnim u ka ofruar atyre shumë informata dhe mundësi që në të ardhmen t’u drejtohen edhe institucioneve tjera për dhunën që shfaqet në shkollën e tyre, ku ata apo bashkëmoshatarët e tyre mund të jenë viktima.

Trajnimi për vetëdijesimin e fëmijëve për parandalimin e dhunës dhe format e saj  do të ndikojë që të rritet vetëdija e fëmijëve dhe guximi i tyre për të denoncuar rastet e dhunës që shfaqen brenda shkollës, duke  krijuar kështu një ambient më të sigurt për ta në .
Trajnimi është mbajtur në kuadër të “Së bashku për të drejtat e fëmijëve” (Together 4 children rigts- Child Protection), që është duke u implementuar nga Organizata Joqeveritare “Syri i Vizionit” nga Peja, në partneritet më organizatën Save the Children.

Projekti ka për qëllim t’i ndihmojë fëmijët, shkollat, organizatat e ndryshme në mbrojtjen e fëmijëve, dhe institucionet përgjegjëse në nivel lokal dhe qendrorë qe t’i shndërrojë shkollat në vende të sigurta për fëmijët dhe t’i ndihmojë ato në krijimin dhe forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve.

Projekti implementohet në shtatë  komuna të Kosovës gjegjësisht në katërmbëdhjetë shkolla të mesme të ulëta: “Ramiz Sadiku” dhe “Xhemail Kada” në Pejë, “Mustafa Bakia” dhe “Zekeria Rexha”në Gjakovë, “Tefik Çanga” dhe “Jeronim De Rada” në Ferizaj, “Bedri Gjina” dhe \"Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë, “Thimi Mitko” dhe “Selami Hallaqi” në Gjilan, “Aziz Tolaj” dhe “Ibrahim Fehmiu” në Prizren si dhe në shkollat “Naim Frashëri” e “Ismail Qemali” në Prishtinë.