mendo globalisht,
vepro lokalisht

Përmbyllet kampi dhjetë ditor për fëmijë “Të gjithë në shkollë për një të ardhme më të mirë“

20.07.2015

Pejë, 20 korrik- Në lagjen “7 Shtatori” është mbajtur ceremonia përmbyllëse e kampit dhjetëditor për fëmijë “Të gjithë në shkollë për një të ardhme më të mirë”.që është implementuar nga organizata joqeveritare “7 Shtatori” në partneritet me OJQ “Syri i Vizionit”,

Qëllimi i këtij kampi ishte socializmi dhe shoqërimi i fëmijëve të komitetit rom, egjiptian dhe ashkali me fëmijët e komuniteti shqiptar, rritja e vetëdijes mbi rëndësinë e shkollimit dhe rikthimi në shkollë i fëmijëve që tashmë kanë braktisur shkollën.

Kampi ju ka  ofruar mundësi fëmijëve që kanë gjendje të vështirë ekonomike në familje, sidomos atyre të komunitetit rom, egjiptian dhe ashkali, që gjatë pushimeve verore të merren më aktivitete të lira dhe edukative si dhe të  shoqërohen me fëmijët tjerë.

Përgjatë këtyre ditëve fëmijët kanë krijuar vepra të ndryshme artistike, përmes se cilave ata kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre, të drejtën për arsimim, jodiskriminim, dhe të jenë të barabartë në shoqëri, të gjitha këto të shprehura nëpër vizatimet e tyre që janë ekspozuar në ceremoninë përmbyllëse.
Të pranishëm në këtë takim përveç fëmijëve, prindërve dhe organizatave implementuese “7 Shtatori” dhe “Syri i Vizionit” ishin edhe nga “Terre de Homes” si mbështetës financiar të këtij kampi, Komuna e Pejës dhe OSCE-ja, të cilët përgëzuan organizatat për realizmin e këtij kampi dhe punën që kanë bërë dhe po bëjnë për fëmijë.

“Në emër të kryetarit të Pejës dhe zyrës sime ju përgëzoj  për punën e palodhshme që e bënë me këta fëmijë, të cilët  kanë shumë nevojë për të pasur aktivitete të tilla që të socializohen më njëri tjetrin si dhe të  vijojnë procesin mësimor  pasi është shumë i rëndësishëm për ta dhe për shoqërinë tonë”, ka thënë  zyrtarja për barazi gjinore dhe të drejta të njeriut, në komunën e Pejës,  Sebahate Qorkadiu.

Në anën tjetër Shasimete Selimaj, drejtoreshë e organizatës “7 Shtatori”, përveç që ka falënderuar ata që ndihmuan në implementimin e këtij kampi ka thënë seky  kamp në të ardhmen duhet të jetë tradicional në këtë zonë të qytetit, sepse këta fëmijë kanë shumë nevojë për një gjë të tillë. Ajo ka kërkuar që institucionet komunale në të ardhmen duhet të marrin përgjegjësinë që së bashku më organizatat lokale të organizojnë çdo vit një kamp të tillë.

Me këtë gjë është pajtuar edhe përfaqësuesi i organizatës “Terre de Homes”, Naim Bilalli, i cili ka thënë se vitin tjetër komuna duhet marrë përgjegjësinë që të mbështesë këtë kamp dhe t’i mbështesë organizatat lokale të cilat punojnë direkt me komunitetin konkretisht me fëmijët.

Naser Lajqi nga OJQ Syri i Vizionit ka folur për vetëdijesimin e prindërve të këtyre fëmijëve  për rëndësinë që ka edukimi apo shkollimi i fëmijëve, që këta fëmijë apo edhe fëmijët tjerë që nuk janë sot në këtë kamp, të mos e braktisin shkollimin, sepse është pasuria më e çmuar që ata mund ta kenë në jetë. Ai poashtu ai ka vlerësuar edhe rëndësinë që ka ofrimi i  aktivitete për fëmijët, të cilët nuk kanë mundësi që me familjet e tyre të shkojnë diku për pushime verore, veçanërisht ata të komunitetit rom, egjiptian dhe ashkali.

Në këtë kamp ishin të përfshirë mbi 80 fëmijë, dhe shtatë animatorë të cilët kanë punuar më ta. Në fund të ceremoninë janë ekspozuar punimet e fëmijëve si dhe është organizuar një koktej i përbashkët me të gjithë të pranishmit.