mendo globalisht,
vepro lokalisht

Kanë filluar punët ndërtimore në terren për shtegun e turizmit në Istog

13.08.2015

Punimet infrastrukturore të parapara në afërsi të Burimit dhe përreth tij në Istog kanë filluar këto ditë. Vizitorët në këtë vend tashmë kanë parë zgjerimin e rrugës nga ana perëndimore e burimit, prej te restorantet në afërsi si dhe janë vendosur baza e vendosjes së këmbëve të urës, që do lidhë dy anët e shëtitoreve të burimit.
Një urë për këmbësorë, amfiteatri, muret mbrojtëse, kubëzimet, ndriçimi dhe shumë punime tjera do të bëhen në kuadër të projektit  “Mbështetja për Agro-Turizëm, Biznes dhe Infrastrukturë në komunën e Istogut, për të rritur dhe promovuar zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës për të ardhme më të mire” dhe kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës agro-biznesore në komunën e Istogut, ndërsa punëkryes në pjesën ndërtimore është kompania Macon shpk,
Projekti implementohet nga OJQ “Syri i Vizionit” në partneritet me Komunën e Istogut dhe përkrahet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë me 80 përqind dhe Komuna e Istogut me 20 përqind të shumës së përgjithshme. Objektivat kryesore të këtij projekti janë që të nxisë rritjen ekonomike të Istogut, zhvillimin e potencialeve dhe mundësive për përkrahje lokale të agro-turizmit dhe fuqizimin e bizneseve.
Kohëzgjatja e punimeve parashihet të jetë deri në fund të vitit.