mendo globalisht,
vepro lokalisht

U mbajt konferenca “Çfarë ka bërë apo duhet të bëjë shteti në mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë”

18.11.2015U mbajt konferenca “Çfarë ka bërë apo duhet të bëjë shteti në mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë”

Prishtinë, 18 nëntor 2015- Organizata "Syri i Vizionit" në partneritet me “Save the Children”, sot (të mërkurën) kanë organizuar një konferencë me rastin e shënimit të ditës së Konventës ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, në të cilën janë diskutuar rekomandimet e raportit "Realiteti Ynë", dhe në të cilën institucionet kanë prezantuar të arriturat e tyre në përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Të ftuar në konferencë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, të pushtetit lokal në disa komuna, zyrtarë të arsimit, qendrave sociale, policisë, koordinatorë të drejtave të njeriut, prindër dhe nxënës, si dhe nga shoqëria civile e mediat, kanë diskutuar gjetjet që i ka publikuar në raportin e tij grupi ROR, një grup monitorimit i quajtur "Respektoni të Drejtat Tona”- Respect our Rights (ROR), i përbërë nga 24 fëmijë nga të gjitha komunat e Kosovës, të cilët në një periudhë njëvjeçare kanë monitoruar shkallën e zbatimit të Konventës në Kosovë.

Ata akne thënë se duhet bashkëpunim dhe koordinim më i mirë në nivelin lokal e qendror, në përmirësimin e gjendjes së zbatimit të të drejtave të fëmijëve në Kosovë.

Azem Guri, këshilltar i ministrit të arsimit, Arsim Bajrami ka thënë se Ministria është duke i shqyrtuar rekomandimet e grupit ROR dhe ato do të inkorporohen edhe në strategjinë e vet pesë vjeçare 2016-2020, përfshirë rekomandimet për sigurimin e transportit për fëmijët në shkolla, parandalimin e bastisjes së shkollave, etj.

Në emër të policisë së Kosovës Sali Dragidella ka thënë se thënë se po punohet në rritjen e sigurisë në shkolla dhe rreth tyre për të ndaluar dukuritë negative, kurse Igballe Rrahmani nga institucioni i Ombduspersonit ka thënë se pjesë nga rekomandimet e Grupit ROR, do të përfshihen në raportin përfundimtar që Avokati i popullit do t’i adresojë Parlamentit.

Pjesëmarrësit kanë kërkuar përfshirjen edhe më shumë të fëmijëve në pjesëmarrje nëpër shkolla.  Sipas organizatorit të konferencës, Teuta Uka nga organizata Syri i vizionit, grupi ROR me monitorimin e zbatimit të konventës dhe raportimin e bazuar në hulumtimin njëvjeçar ka arritur të sensibilizojë lidhur me përmirësimin e  gjendjes në këtë sektor, duke i përfshirë  të gjithë akterët të punojnë së bashku në përmirësimin e gjendjes.


Me respekt,
OJQ Syri i Vizionit