mendo globalisht,
vepro lokalisht

Syri i Vizionit mbajti kuvendin e anëtarëve

27.12.2016

Syri i Vizionit mbajti kuvendin e anëtarëve

Pejë, 24 dhjetor- Kuvendi i anëtarëve të organizatës Syri i vizionit është mbajtur në Pejë në takimin e rregullt vjetor, në të cilin është analizuar puna e organizatës gjatë vitit të kaluar dhe angazhimi në projektet në vijimësi. Rreth 80 anëtarë dhe vullnetarë të organizatës janë informuar për angazhimet e rregullta vjetore, pjesëmarrjen në aktivitete,m projektet i implemetuara dhe planet e angazhimit strategjik për vitin në vijim.
Anëtarët e Kuvendit kanë marrë dhe i kanë aprovuar raportet e hollësishme narrative dhe financiare për vitin e përmbyllur 2015, informacionet e projekteve në vazhdimësi për vitin që e kemi në përmbyllje 2016 dhe një plan të pritjes për vitin në të cilin po hyjmë, në të cilin organizata ka vendosur tetë objektiva strategjikë që pritet ta çojnë më tej organizatën.
Është vlerësuar se në vitin 2015 Syri i Vizionit  ka qenë një akter i suksesshëm në shoqërinë kosovare, ka implemetuar 15 projekte të mëdha të cilat kanë ndikuar në jetën e njerëzve dhe ka mobilizuar komunitete aktive që duan të jenë pjesëmarrës  të ndryshimeve që ndodhin në vendin tonë. Buxheti i projekteve të implementuara gjatë këtij viti ka qenë 637.120 euro të cilat kanë shkuar në dobi të komuniteteve lokale në Kosovë me përfitues mijëra qytetarë dhe biznese nga pothuaj të gjitha komunat e Kosovës. Gjatë vitit 2016 kanë qenë 53 persona të angazhuar si staf nëpër projekte.
Drejtori ekzekutiv i organizatës Veton Mujaj ka thënë se gjatë viteve 2015 dhe 2016 Syri i vizionit ka pasur një rritje që e ka bërë organizatën të luaj një rol të rëndësishëm duke bartur përvojat lokale që ka krijuar gjatë viteve, tani edhe në nivel qendror, por edhe me angazhimin rajonal edhe jashtë Kosovës.
Syri i Vizionit ka rreth 50 anëtarë të rregullt, poaq vullnetarë të regjistruar aktive dhe një listë të gjerë prej afër një mijë vullnetarësh që angazhohen sipas nevojave në aktivitetet dhe fushatat që organizohen gjithandej Kosovës. Gjatë kuvendit është bërë anëtarësimi dhe janë shpërndarë kartelat për anëtarët e rinj të organizatës.