mendo globalisht,
vepro lokalisht

Syri i vizionit ka iniciuar ndryshimin e rregulloreve komunale në katër komuna

01.03.2017


KOMUNIKATË  PËR  MEDIA
Syri i vizionit ka iniciuar ndryshimin e rregulloreve komunale në katër komuna


Tetë rregullore komunale janë iniciuar për ndryshim për të plotësuar aspekte të barazisë gjinore në komunat Pejë, Istog, Deçan dhe Junik, ndërsa Syri i Vizionit dhe gratë asambleiste ua kanë dorëzuar kryetarëve të Kuvendeve  këto rekomandimet për ndryshim 


Pejë 01 mars 2017-  Syri i Vizonit ua ka dorëzuar edhe zyrtarisht katër komunave raportin me rekomandimet për ndryshimin e rregulloreve komunale në katër komuna. Udhëheqësit e  kuvendeve të këtyre komunave të Dukagjinit, kanë pranuar të enjten një paketë me rekomandimet dhe kërkesat për ndryshimin e disa rregulloreve komunale në aspektin e barazisë gjinore. Raporti i hartuar nga ekspertët me rekomandimet nga gratë asambleiste të komunave Pejë, Istog, Deçan dhe Junik është përgatitur në kuadër të Projektit për Përkrahjen e Grave që implementohet nga Syri i vizionit më mbështetje nga USIAD/ATRC dhe ky raport parasheh ndryshimin në tetë rregullore komunale në këto katër komuna. Bashkë me gratë asmableiste të zgjedhura në këto kuvende, me zyrat e barazisë gjinore, janë identifikuar çështje të tilla si përbërja e komisioneve, përfshirja e grave në pozita udhëheqëse, mbështetja dhe avancimi i tyre në ekonomi, subvencione, bursa, etj si dhe krijimi i mundësive për përfshirje në politike duke filluar nga niveli lokal, që janë kërkesat kryesore në këto rekomandime.
Kryetarët e kuvendeve në këto katër komuna, të pranishëm në këtë takim kanë premtuar se do angazhohen për t’i shtyre para këto ndryshime në legjislacionin lokal. Islam Husaj, kryetar i KK të Pejës ka thënë se në Komunën e Pejës  tashmë është ndërruar rregullorja për subvencionet dhe bursat, kurse në proces është edhe ndryshimi i statutit, në të cilin po synohet të përfshihen edhe ndryshime që favorizojnë gratë ne ekzekutiv dhe në të gjitha komisionet në nivelin komunal. Kurse Hazbi Bajra, kryesues i KK të Istogut, Jashar Dobraj kryesues i KK të Deçanit dhe Faik Tofaj, kryesues i KK të Juinikut kanë thënë se në komunat e tyre kërkesat e grave asambleiste dhe Syrit të Vizionit tashmë janë aprovuar nëpër kuvende dhe presin miratimin gjatë muajit mars dhe prill.
“Ndryshmet po ndodhin njëkohësisht në katër komuna dhe kemi krijuar një ambient pozitiv për ndryshimet që do çojnë në përmirësimin e pozitës së grave, duke krijuar më shumë mundësi dhe duke promovuar mbështetjen për barazinë gjinore. Ndryshimet në këto tetë rregullore komunale do të sjellin rezultatet nga të cila do të ndryshojë jeta e grave. Ato tashmë i kanë përfshirë komunat dhe kuvendet e tyre në një fushatë pozitive promovuese në kërkim të mundësive më të mira për gratë” thotë Enver Ulaj menaxher i projektit nga OJQ Syri i Vizionit.
Ndryshimet kryesisht kanë të bëjnë me rregulloret për subvencionet, transparencën, banesat sociale, bursat, këshillat lokale, pjesëmarrjen në vendimmarrje, etj.  Rekomandimet janë të bazuar në ligjin e ri për barazinë gjinore, direktivat e BE-së dhe përvojat pozitive ndërsa komunat kanë marrë rekomandime për gjuhen sensitive në legjislacionin lokal, integrimin gjinore në vendimmarrje në të gjitha fazat nga planifikimi në realizim, ndarjen e statistikave gjinore dhe për masat afirmative të veçanta.