mendo globalisht,
vepro lokalisht

Kryeministri Haradinaj u premton fëmijëve: Do të punojmë bashkë me ju

01.06.2018

Komunikatë për media

Prishtinë, 01 qershor 2018 - Me moton “Çdo ditë është 1 Qershori”, Syri i Vizionit në partneritet me Save the Childen dhe në bashkëpunim me Zyrën  për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovë,  fëmijët e grupit monitorues ROR (RespectOurRights) dhe asambletë komunale të fëmijëve kanë mbajtur një punëtori ditore me fëmijë nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës për të shqyrtuar draft Strategjinë dhe Planin Nacional të Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve.
Aktiviteti i zhvilluar si përmbyllje e angazhimeve të tërë javës në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtar të fëmijëve, kishte për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve në proceset zhvillimore të shoqërisë, dhe ofrimi i mundësisë për t’u përfaqësuar dhe për t’u dëgjuar zëri i fëmijëve nga institucionet shtetërore. Ky aktivitet, njëkohësisht është edhe një hap me rëndësi drejt zbatimit më të mirë dhe përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni vendor dhe Konventa për të Drejtat e Fëmijës, konkretisht mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të fëmijëve në Republikën e Kosovës për çka Syri i Vizionit dhe Save the Children janë duke punuar tash e disa vite.

Në këtë punëtori i pranishëm ishte edhe kryeministri i Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj i cili duke çmuar punën që po bëjnë organizatat e shoqërisë civile në Kosovë në përmirësimin e pozitës së të drejtave, në fjalën e tij u zotua jo vetëm për t’i mbështetur fëmijët, por edhe për angazhimin të përbashkët me ta. 
“Idetë dhe iniciativat me të mira vinë nga ju fëmijët, dhe unë sot, kam sjell gjithë kabinetin tim para juve, jo vetëm për t’u njoftuar me ta, por për t’u zotuar se çdo ditë ne, jo vetëm që do punojmë për ju, por do punojmë së bashku me ju, dhe na duhet ndihma juaj, për të bërë më të mirën për ju dhe gjithë fëmijët e Kosovës” tha kryeministri Haradinaj.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e organizatave Syri i Vizionit, Save the Children  dhe UNICEF, janë zotuar se çdo ditë do jenë afër fëmijëve që më kohë të adresohen nevojat dhe të drejtat e tyre tek institucionet duke i bërë fëmijët pjesë e vendimmarrjes jo vetëm në nivel nacional por edhe në nivel lokal.
Fëmijët e pranishëm në këtë punëtori, kërkuan që strategjia të hartohet në përputhje me nevojat e tyre dhe duke garantuar përmirësimin e kushteve të tyre në arsim, shëndetësi, respektim të të drejtave në secilin sektor duke i bërë fëmijët pjesë e vendimmarrjes në çdo nivel dhe institucion.
“Sa shumë na japin zemër organizatat që punojnë me ne dhe për të drejtat tona, por edhe ju si kryeministër dhe qeveri më fjalimin e sotëm dhe strategjia që po bëhet, por të gjithë ne. Së bashku mund t’u japim shumë zemër fëmijëve tjerë të Kosovës, që sot nuk janë në këtë takim” ka thënë Yll Kosumi, njëri nga fëmijët pjesëmarrës në këtë punëtori.
Aktivitetet e javës së shënimit të 1 qershorit “Çdo ditë është 1 Qershori”, kanë filluar që nga e hëna, datë 28 maj duke realizuar aktivitete të ndryshme në komunat Mitrovicë, Gjilan, Prizren, Ferizaj, Gjakovë dhe Pejë me institucione qeveritare dhe joqeveritare, duke takuar dhe zhvilluar aktivitete edhe me fëmijë me nevoja të veçanta dhe fëmijët e SOS fshatit në Prishtinë.
Java e shënimit të 1 qershorit,  Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve me moton “Çdo ditë është  1 Qershori”, është organizuar në kuadër të projektit “Detyrimi ynë për të Ardhmen – Mbrojtja e Fëmijëve dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës” i cili implementohet nga organizata Syri i Vizionit, në partneritet me Save the Children në Kosovë dhe në bashkëpunim më fëmijët e grupit monitorues ROR (RespectOurRights) dhe  asambletë komunale të fëmijëve.