mendo globalisht,
vepro lokalisht

Thirrje për shprehje të interesimit: “Hartimi i planit të punës për mbrojtjen e fëmijës dhe familjes nga abuzimi”

05.07.2017Termat e Referencës


Punëtoria: “Hartimi i planit të punës për mbrojtjen e fëmijës dhe familjes nga abuzimi”


Hyrje
Organizata Syri i Vizionit (SiV) është  regjistruar zyrtarisht si OJQ lokale në Shtator të vitit 2001, por ka filluar të funksionojë më herët që nga 1999 si Organizatë e Bazuar në Komunitet (CBO) në komunën e Pejës.
Përgjatë viteve të fundit, OJQ “Syri i Vizionit” ka zhvilluar partneritete të shumta me një spektër të gjerë të organizatave lokale dhe ndërkombëtare, komunave dhe faktorëve tjerë aktivë në Kosovë dhe Ballkan si: Komisioni Evropian, Save the Children në Kosovë, Olof Palme International Centre, Solidar Suisse, Volkshilfe Solidaritet, ADA, USAID, KEC, KFOS, DRC, CARE International, OSCE, etj.

Informata të përgjithshme
Syri i Vizionit, në partneritet me Save the Children zyra në Kosovë, tash e pesë vite është duke punuar në programe mbi monitorimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, që kanë për qëllim respektimin e Konventës ndërkombëtare për të drejtat e fëmijës, në kuadër të të cilave ka zhvilluar projekte për të fuqizuar mekanizmat e parandalimit të dhunës,  ndëshkimit trupor dhe raportimit të rasteve të dhunës në shkollat e komunave Pejë, Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Gjilan dhe Gjakovë.
Në kuadër të programit tematik në fushën e mbrojtjes së fëmijës “Detyrimi ynë për të Ardhmen - Mbrojtja e Fëmijës dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës”, do të punohet në parandalimin e  dhunës dhe ndëshkimit trupor ndaj fëmijëve në çdo ambient, krijimin e mekanizmave apo instrumenteve miqësore dhe të besueshme ndaj fëmijëve për të raportuar rastet e dhunës, si dhe ngritjen e vetëdijes së institucioneve dhe gjithë shoqërisë mbi Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës dhe denoncimin e rasteve të tilla.
Pjesë e rëndësishme e programit është edhe ngritja e kapaciteteve profesionale të institucioneve, të cilat për mandat kanë mbrojtjen e fëmijëve dhe ofrimin e shërbimeve sa më profesionale dhe me kohë, duke u bazuar në plane konkrete të veprimit për mbrojtjen e fëmijës dhe familjes nga abuzimi.

Objektiva
Në kuadër të kësaj fushe, Syri i Vizionit kërkon të angazhojë një ekspert-profesionist (ekspert në fushën përkatëse) për hartimin e planit të punës për  mbrojtjen e fëmijës dhe familjes nga abuzimi  për Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Pejës. 


Qëllimi i Punëtorisë
Qëllimi i këtij angazhimi është Hartimi i planit të punës “Mbrojtja e fëmijës dhe familjes nga abuzimi” për periudhë tri vjeçare për Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Pejës, ku përfshihet edhe Qendra për Punë Sociale. Ky plan duhet të përpilohet për të ndihmuar këto institucione të ndërmarrin veprime konkrete për mbrojtjen  e fëmijës dhe familjes nga çfarëdo lloj abuzimi.  Plani duhet të përfshijë krijimin e mekanizmave praktikë të reagimit të menjëhershëm ndaj rasteve të dhunës ndaj fëmijës dhe familjes, ku gjithmonë mbrohet interesi dhe siguria më e lartë e fëmijës dhe familjes.
Përpos  Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në këtë punëtori do të marrin pjesë edhe zyrtarë nga Qendra për Punë Sociale, Policia e Kosovës, Gjykatat, Prokuroria dhe institucionet tjera qeveritare dhe të shoqërisë civile, të cilat për mandat kanë mbrojtjen e fëmijëve në komunën e Pejës.

Të dalat nga punëtoria
Drafti i parë i Planit të Punës “Mbrojtja e fëmijës dhe familjes nga abuzimi” do të përpilohet për Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës. Draft më pas duhet të prezantohet nga kjo drejtori  para asamblesë komunale së komunës së Pejës, për të marrë komentet dhe sugjerimet e asamblistëve, për të kaluar pastaj në diskutim publik dhe të dërgohet përsëri në asamble komunale për miratim.

Kualifikimi dhe Kontraktimi i Ekspertit/ës
- Diplomë Universitare Juridik ose Shkenca Sociale apo ngjashëm me këto dy profesione
- Dokumentimi i përvojës së punës në hartimin e planeve të punës
- Certifikata të fushës përkatëse  dhe përvoja e punës më fëmijë dhe familje do jenë përparësi
Eksperti do të angazhohet me anë të një kontrate për shërbim me Syri i Vizionit - nën koordinimin e Menaxherit të Financave dhe Administratës. Në këtë kontratë do të përcaktohen në mënyrë specifike pikat  të cilat nuk janë të përfshira në këtë dokument.

Detyrat dhe Përgjegjësitë:
Eksperti/ja-profesionisti/ja i/e angazhuar pritet që të:
- Kryen punën parapërgatitore dhe materialet e nevojshme për punëtori;
- Dërgon metodologjinë e punës, e cila do të përdoret për hartimin e planit të punës;
- Udhëheqë punëtorinë dy-ditore me akterët përgjegjës (Drejtoria e Shendetsisë dhe Mirëqenies Sociale, Qendra për Punë Sociale, Policia e Kosovës, Gjykata, zyra rajonale Ombudspersonit, OJQ);
- Harton draftin e parë të planit të punës, në koordinim me stafin e SiV dhe Save the Children zyra në Kosovë,  dhe të dorëzojë me kohë këtë draft, i cili do të paraqitet tek DSHMS-ja në komunën e Pejës;
- Merr pjesë në seancën e asamblesë komunale në komunën e Pejës dhe të bëjë prezantimin e planit të punës kur  të dërgohet për miratim nga DSHMS-ja në asamblenë komunale të komunës së Pejës ;
- Inkorporon në plan të punës  rekomandimet dhe sugjerimet  e dala nga grupet e interesit (asambleja komunale,qytetarë, organizata të shoqërisë civile, drejtorë të shkollave, etj);
- Finalizon dhe dorëzon planin e punës më së largu një javë (7 ditë) pas  mbajtjes së takimeve më grupet e interesit;
- Dorëzon raportin me shkrim tek SiV dhjetë (10) ditë pasi të ketë finalizuar dhe dorëzuar planin final të punës.


Angazhimi i Ekspertit/es:
Angazhimi do të bëhet në bazë ditore, ku do të përfshihen aktivitetet e mëposhtme:

Detyrat  Kohëzgjatja

- Përgatitja e të gjitha  materialeve dhe agjendës së punëtorisë - 1 ditë

- Mbajtja e punëtorisë dhe hartimi draftit të parë të planit të punës - 2 ditë

- Përgatitja dhe dorëzimi i draftit të parë të planit të punës dhe raportit me shkrim pas punëtorisë  - 1 ditë

- Prezantimi i planit të punës, në bashkëpunim me DSHMS-në, para Asamblesë komunale të Pejës; Inkorporimi i komenteve në plan; Finalizimi dhe dorëzimi i planit final tek Syri i Vizionit  - 1 ditë

Gjithsej: 5 ditë


Kushtet e Pagesës:
-    Pagesa e trajnuesit do të bëhet sipas faturës përkatëse për kryerjen e shërbimeve;
-    Pagesa do të realizohet përmes dy transaksioneve bankare në valutën Euro.

Pagesa e parë realizohet pas përfundimit të punëtorisë dhe dorëzimit të draft planit të parë të punës, si dhe raportit me shkrim. Pagesa e dytë realizohet pas  finalizimit të planit të punës dhe dorëzimit me kohë, si dhe dorëzimin e raportit përfundimtar, i cili përmbledh të gjitha pikat e këtij angazhimi.

Pagesa e ekspertit do të kompensojë punën e kryer në:
- Angazhimin në organizimin e punëtorisë (duke përfshirë të gjitha detajet e nevojshme);
- Punën para-përgatitore dhe materialet e nevojshme për punëtori;
- Përpilimin e planit të punës;
- Shkrimin e raportit përfundimtar.
Në bazë të ligjit të Kosovës, Syri i Vizionit është poashtu i obliguar që të paguajë tatimin (taksa dhe Pension) prej 10% të shumës bruto.
- Shpenzimet e fjetjes/akomodimit dhe ushqimit do t’i mbulojë organizatori.

Raportimi:
Si pjesë themelore e angazhimit të ekspertit parashihet edhe pjesa e raportimit. Pagesa e  parë për angazhim realizohet pas pranimit të kënaqshëm të draft planit të parë dhe raportit me shkrim, të cilat dërgohen nga ana e ekspertit të angazhuar. Pagesa e dytë realizohet pas pranimit të draftit final të punës për mbrojtjen e fëmijës dhe familjes nga abuzimi dhe raportin me shkrim.
Dërgimi i raportit me shkrim nga ana e ekspertit të angazhuar është obligativ pas përfundimit të të gjitha aktiviteteve të përshkruara më lartë, brenda afatit 10 ditor.

Personi përgjegjës në Syri i Vizionit:
Naser Lajqi – Menaxher i programit
OJQ “Syri i Vizionit”
Rr.Isa Demaj. Nr.14-30 000 Pejë
tel. +377 (0) 44 695 650
      +381 (0) 39 423 240
 e-mail:[email protected]
 [email protected]
www..syriivizionit.org .