mendo globalisht,
vepro lokalisht

Angazhimi i një eksperti për hartimin e planeve të punës për parandalimin dhe adresimin e rasteve të dhunës ndaj nxënësve në 10 shkolla

28.03.2018



Datë: 28.03.2018
Termat e Referencës

Angazhimi i një eksperti-profesionisti për hartimin e planeve të punës për këshillat drejtues në 10 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta për parandalimin dhe adresimin e rasteve të dhunës ndaj nxënësve në shkolla

Hyrje
Organizata Syri i Vizionit (SiV) është  regjistruar zyrtarisht si OJQ lokale në Shtator të vitit 2001, por ka filluar të funksionojë më herët që nga 1999 si Organizatë e Bazuar në Komunitet (CBO) në komunën e Pejës. Përgjatë viteve të fundit, OJQ “Syri i Vizionit” ka zhvilluar partneritete të shumta me një spektër të gjerë të organizatave lokale dhe ndërkombëtare, komunave dhe faktorëve tjerë aktivë në Kosovë dhe Ballkan si: Komisioni Evropian, Save the Children në Kosovë, Olof Palme International Centre, Solidar Suisse, Volkshilfe Solidaritet, ADA, USAID, KEC, KFOS, DRC, CARE International, OSCE, etj.

Informata të përgjithshme
Syri i Vizionit (SiV) në partneritet me Save the Children zyra në Kosovë (SCiK), tash e disa vite është duke punuar në programe mbi monitorimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, që kanë për qëllim respektimin e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, në kuadër të të cilave ka zhvilluar projekte për të fuqizuar mekanizmat e parandalimit të dhunës,  ndëshkimit trupor dhe raportimit të rasteve të dhunës në shkollat e komunave Pejë, Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Gjilan dhe Gjakovë.

Në kuadër të programit tematik në fushën e mbrojtjes së fëmijës “Detyrimi ynë për të Ardhmen - Mbrojtja e Fëmijës dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës”, po punohet në parandalimin e dhunës dhe ndëshkimit trupor ndaj fëmijëve në çdo ambient, krijimin e mekanizmave apo instrumenteve miqësore dhe të besueshme ndaj fëmijëve për të raportuar rastet e dhunës, si dhe ngritjen e vetëdijes së institucioneve dhe gjithë shoqërisë mbi Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijësdhe përgjegjësive që dalin nga ky ligj.

Pjesë e rëndësishme e programit është ngritja e kapaciteteve të shkollave fillore dhe te mesme të ulëta në parandalimin e dhunës ndaj nxënësve, përmes fuqizimit të mekanizmave që kanë shkollat dhe fuqizimit të këshillave  drejtues të tyre, si akterë kyç për krijimin e mekanizmave miqësorë për parandalimin e dhunës në shkolla.

Objektiva
Syri i Vizionit kërkon të angazhojë një ekspert- profesionist (ekspert në fushën përkatëse) për mbajtjen e punëtorive për përpilimin/hartimin e planit të punës për këshillin drejtues të shkollave lidhur me veprimet që duhet të ndërmerren për parandalimin e dhunës. Ky plan i punës do të bazohet në të gjeturat e raporteve hulumtuese “Baseline Study” dhe “Raportit mbi mekanizmat miqësorë për adresimin e dhunës në shkolla” të realizuara  gjatë vitit të kaluar në shkolla fillore dhe të mesme të ulëta nga organizata jonë.

Angazhimi i Ekspertit/es
Qëllimi i këtij angazhimi është mbajtja e pesë punëtorive me Këshillat Drejtuese të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta në pesë komuna Pejë, Prizren, Klinë, Gjakovë dhe Gjilan, përkatësisht shkollat Ramiz Sadiku dhe Xhemail Kada në Pejë, Zekeria Rexha dhe Yll Morina në Gjakovë, Ibrahim Fehmiu dhe Haziz Tolaj në Prizren, Motrat Qiriazi dhe Ismet Rraci në Klinë, si dhe Selami Hallaqi dhe Thimi Mitko në Gjilan. Si rezultat i punëtorive, kërkohet draftimi i planit të veprimit për këto shkolla në parandalimin e dhunës ndaj nxënësve.

Kualifikimi i nevojshëm:
•    Diplomë Universitare në departmentin e Pedagogjisë apo Psikologjisë, Punë dhe/ose Mirëqenie Sociale, apo fushë të ngjashme në shkenca sociale (kualifikimi Master dhe edukimi profesional/joformal në këtë fushë është përparësi);
•    Dokumentimi i përvojës së punës në hartimin e planeve të punës  dhe raporteve te nxjerra nga hulumtimet që kanë të bëjnë më mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna;
•    Njohuri për parimet e të drejtave të fëmijëve të bazuara në KDF dhe KB;
•    Shkathtësi të mira në të shkruar dhe të folur të gjuhës shqipe dhe angleze.

Detyrat dhe Përgjegjësitë:
Nga eksperti/ja  i/e angazhuar pritet:
•    Përgatitja e planit të punës, përfshirë metodologjinë, për këtë angazhim dhe zhvillimi i materialeve të nevojshme për punëtori, bazuar në të gjeturat e “Baseline Study” dhe “Mekanizmat miqësor në shkollë për raportim të dhunës ndaj fëmijëve” të zhvilluar nga SiV ;
•    Udhëheqja e punëtorisë një-ditore në secilën nga pesë komunat me akterët përgjegjës (Këshillat Drejtues të shkollave dhe zyrtarët e DKA-së, stafin nga SiV dhe SCiK) dhe hartimi i draftit të parë të planit të punës me rekomandimet dhe sugjerimet e pjesëmarrësve;
•    Dorëzimi i drafteve të para të planeve të punës tek SiV, jo më vonë se shtatë  (7) ditë pas mbajtjes së punëtorive për rishikim nga SiV dhe SCiK;
•    Dorëzimi i planeve finale të punës për aprovim tek SiV jo më vonë se tre (3) ditë pune pas pranimit të komenteve;
•    Dorëzimi i raportit me shkrim tek SiV jo më vonë se pesë (5) ditë pune pasi të ketë dorëzuar planet finale të punës të aprovuara nga SiV dhe SCiK. 

Angazhimi i Ekspertit/es:
Eksperti/ja do të angazhohet me anë të një kontrate për shërbim me Syri i Vizionit- nën koordinimin e Menaxherit të Financave dhe Administratës. Në këtë kontratë do të përcaktohen në mënyrë specifike pikat të cilat nuk janë të përfshira në këtë dokument. Angazhimi do të bëhet në baza ditore, ku do të përfshihen aktivitetet e mëposhtme:

Detyrat dhe kohëzgjatja:
Familjarizimi me raporte dhe përgatitja e metodologjisë së punës për punëtori (Metodologjia, agjenda dhe materjalet tjera te nevojshme): 2 ditë
Mbajtja e punëtorive në pesë komuna (Pejë, Prizren, Klinë, Gjakovë dhe Gjilan): 5 ditë
Hartimi dhe Finalizimi i Planeve të Punës: 2 ditë
Përgatitja dhe dorëzimi i raportit narrativ: 1 ditë
Gjithsej: 10 ditë
   
Kushtet e Pagesës:
Pagesa e ekspertit/es do të bëhet sipas faturës përkatëse për kryerjen e shërbimeve, që do të leshohet nga ai/ajo, ose do të përgatitet nga SiV e do nënshkruhet nga Eksperti/ja. Pagesa do të realizohet përmes  transaksionit bankar në valutën Euro.  Pagesa do të bëhet pas përfundimit me sukses të punëtorive dhe dorëzimit të planeve finale të punës dhe raportit narrativ të aprovuar nga SiV. 

Në bazë të ligjit të Kosovës, Syri i Vizionit është poashtu i obliguar që të paguajë tatimin (taksa dhe Pension) prej 10% të shumës bruto. Shpenzimet e ushqimit do t’i mbulojë organizatori.


Dokumentet dhe procedura për aplikim:
•    Një draft propozim mbi metodologjinë e punës për këtë angazhim, përfshirë planifikimin e procesit të zhvillimit të dokumenteve përkatësë;
•    Nje letër interesi që paraqet arsyet që ai/ajo është i/e përshtatshëm dhe ka njohuri dhe eksperiencë në fusha të ngjashme;
•    Curriculum Vitae (CV);

Aplikacionet duhet të dorëzohen në formë elektronike në e-mail adresën: [email protected] me subjektin Aplikacioni për Hartimin e Planeve të Punës për Shkolla.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikacionit është 13 Prill 2018, ora 17:00.