mendo globalisht,
vepro lokalisht

Angazhimi i nje fasilitator/e për hartimin e udhëzuesit për funksionimin e Asambleve komunale të fëmijëve në komunat e Kosovës

26.04.2018

Termat e Referencës

Fasilitator/e për hartimin e udhëzuesit për funksionimin e Asambleve komunale të fëmijëve në komunat e Kosovës 

Hyrje
Organizata Syri i Vizionit (SiV) është  regjistruar zyrtarisht si OJQ lokale në Shtator të vitit 2001, por ka filluar të funksionojë më herët që nga 1999 si Organizatë e Bazuar në Komunitet (CBO) në komunën e Pejës. Përgjatë viteve të fundit, OJQ “Syri i Vizionit” ka zhvilluar partneritete të shumta me një spektër të gjerë të organizatave lokale dhe ndërkombëtare, komunave dhe faktorëve tjerë aktivë në Kosovë dhe Ballkan si: Komisioni Evropian, Save the Children në Kosovë, Olof Palme International Centre, Solidar Suisse, Volkshilfe Solidaritet, ADA, USAID, KEC, KFOS, DRC, CARE International, OSCE, etj.

Informata të përgjithshme
Syri i Vizionit (SiV) në partneritet me Save the Children zyra në Kosovë (SCiK), tash e disa vite është duke punuar në programe mbi monitorimin, mbrojtjen dhe qeverisjen me të drejtat e fëmijëve në Kosovë, që kanë për qëllim respektimin e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës dhe përfshirjen e drejtpërdrejt të fëmijëve në vendimmarrje.
Në kuadër të programit tematik në fushën e mbrojtjes dhe qeverisjes së fëmijës “Detyrimi ynë për të Ardhmen - Mbrojtja e Fëmijës dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës” po punohet me grupe monitoruese të udhëhequra nga fëmijët, siç janë: grupi “Respect our Rights (ROR)”- dhe Asambletë Komunale të Fëmijëve (AKF), në 6 komunat: Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilani. Me qëllim të përfshirjes së drejtpërdrejtë të fëmijëve në vendimmarrje dhe respektimin e të drejtave të tyre duke u bazuar në Konventën Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Fëmijëve dhe ligjet vendore.
Pjesë e rëndësishme e programit është që AKF, të  udhëhequra nga fëmijët, të njihen si trup ligjor i organizimit të fëmijëve në nivel komunal dhe të përfshihen në punën e komunave të tyre përkatëse në çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e tyre.

Objektiva

Syri i Vizionit kërkon të angazhojë një ekspert- profesionist (ekspert në fushën përkatëse) për mbajtjen e punëtorisë për hartimin e një udhëzimi mbi strukturimin e Asambleve Komunale të Fëmijëve duke u bazuar në aktet ligjore në fuqi. Ky udhëzues do t‘i ndihmojë komunat që të kuptojnë rolin e Asambleve Komunale të Fëmijëve (AKF), të njihen si trup ligjor i organizimit të fëmijëve në nivel komunal dhe të definohet përbërja, obligimet dhe përgjegjësit e AKF-së dhe institucioneve komunale.

Angazhimi i Ekspertit/es
Qëllimi i këtij angazhimi është mbajtja e një punëtorie të përbashkët me Zyrtarët e DKA-ve dhe koordinatorët për të drejtat e fëmijëve nga komunat Pejë, Prizren, Klinë, Gjakovë, Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan, për hartimin e një udhëzimi mbi strukturimin e Asambleve Komunale të Fëmijëve duke u bazuar në aktet ligjore në fuqi. Zyrtarët e DKA-ve dhe koordinatorët për të drejtat e fëmijëve do zotohen që AKF-të të njihen si trup ligjor i organizimit të fëmijëve në nivel komunal dhe nacional.

Kualifikimi i nevojshëm:
•    Diplomë Universitare në departmenti Juridik apo fushë të ngjashme (kualifikimi Master dhe edukimi profesional/joformal në këtë fushë është përparësi);
•    Dokumentimi i përvojës së punës në hartimin e udhëzimeve, planeve të punës  dhe raporteve të nxjerra nga hulumtimet që kanë të bëjnë më të drejtat e fëmijëve;
•    Njohuri për parimet e të drejtave të fëmijëve të bazuara në KDF dhe KB;
•    Shkathtësi të mira në të shkruar dhe të folur të gjuhës shqipe dhe angleze.

Detyrat dhe Përgjegjësitë:
Nga eksperti/ja  i/e angazhuar pritet:
•    Përgatitja e planit të punës, përfshirë metodologjinë për këtë angazhim dhe zhvillimi i materialeve të nevojshme për punëtorinë, bazuar në të gjeturat e analizes ligjore “Mekanizmat ligjor të strukturimit të fëmijëve në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në nivel lokal”, të zhvilluar nga SiV;
•    Udhëheqja e punëtorisë një-ditore me akterët përgjegjës (Zyrtarët e DKA-ve, Koordinatorët për të drejtat e fëmijëve, stafin nga SiV dhe SCiK) dhe hartimi i draftit të parë të udhëzimit me rekomandimet dhe sugjerimet e pjesëmarrësve;
•    Dorëzimi i draftit të parë të udhëzimit tek SiV, jo më vonë se katër (4) ditë pas mbajtjes së punëtorisë për rishikim nga SiV dhe SCiK;
•    Dorëzimi i udhëzimit final për aprovim tek SiV jo më vonë se një (1) ditë pune pas pranimit të komenteve;
•    Dorëzimi i raportit me shkrim tek SiV jo më vonë se tri (3) ditë pune pasi të ketë dorëzuar udhëzimet finale të aprovuara nga SiV dhe SCiK. 

Mënyra e angazhimit:
Eksperti/ja do të angazhohet me anë të një kontrate për shërbim me Syri i Vizionit- nën koordinimin e Menaxherit të Financave dhe Administratës. Në këtë kontratë do të përcaktohen në mënyrë specifike  pikat të cilat nuk janë të përfshira në këtë dokument. Angazhimi do të bëhet në baza ditore, ku do të përfshihen aktivitetet e mëposhtme:

Detyrat                
Familjarizimi me raport analizën dhe përgatitja e metodologjisë së punës për punëtori (Metodologjia, agjenda dhe materjalet tjera te nevojshme) - 1/2 ditë
Mbajtja e punëtorisë me zyrtarët e tetë komunave (Pejë, Prizren, Prishtinë, Klinë, Gjakovë, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjilan) - 1 ditë
Hartimi dhe finalizimi i planeve të punës dhe përgatitja dhe dorëzimi i raportit narrativ - 1/2 ditë
Gjithsej: 2 ditë

Kushtet e Pagesës:
Pagesa e ekspertit/es do të bëhet sipas faturës përkatëse për kryerjen e shërbimeve, që do të lëshohet nga ai/ajo, ose do të përgatitet nga SiV e do nënshkruhet nga Eksperti/ja. Pagesa do të realizohet përmes transaksionit bankar në valutën Euro. Pagesa do të bëhet pas përfundimit me sukses të punëtorive dhe dorëzimit të planeve finale të punës dhe raportit narrativ të aprovuar nga SiV. 
Në bazë të ligjit të Kosovës, Syri i Vizionit është poashtu i obliguar që të paguajë tatimin (taksa dhe Pension) prej 10% të shumës bruto. Shpenzimet e ushqimit do t’i mbulojë organizatori.

Dokumentet dhe procedura për aplikim:
•    Një draft propozim mbi metodologjinë e punës për këtë angazhim, përfshirë planifikimin e procesit të zhvillimit të dokumenteve përkatësë;
•    Nje letër interesi që paraqet arsyet që ai/ajo është i/e përshtatshëm dhe ka njohuri dhe eksperiencë në fusha të ngjashme;
•    Curriculum Vitae (CV);

Aplikacionet duhet të dorëzohen në formë elektronike në e-mail adresën: [email protected] me subjektin “Aplikacioni për Hartimin e Udhezuesit për Asambletë Komunale të Fëmijëve”.


Afati i fundit për dorëzimin e aplikacionit është 07 Maj 2018, ora 17:00.