mendo globalisht,
vepro lokalisht

THIRRJE E HAPUR - për pjesëmarrësit në aktivitetet e mobilitetit dhe trajnimit për promotorët e rinj

20.07.2018

Syri i Vizionit (SiV) fton të gjithë të rinjtë e interesuar dhe të motivuar të cilët jetojnë në Pejë, Gjakovë e Prizren të aplikojnë për pjesëmarrje në programin e mobilitetit dhe trajnimit për promotorët e rinj.

Promotorët e rinj (të njohur po ashtu si përshëndetësit) janë vullnetarë të cilët mirëpresin mysafirë në qytetin apo rajonin e tyre dhe i shëtisin ata rreth e rrotull pa pagesë sikur që do të bënin me miqtë apo familjen e tyre. Kjo është një formë e turizmit shoqëror: banorët marrin pjesë në aktivitetet e mysafirëve dhe mysafirët kanë rastin të shohin jetën lokale të vendit të vizituar.

Për programin e mobilitetit dhe trajnimit
Programi i mobilitetit dhe trajnimit zbatohet brenda projektit “Promotorët e Rinj – Përmirësimi i Mirëkuptimit, Krijimi i Kompetencave Ndërkulturore” me fonde të RYCO – Regional Youth Cooperation Office. Ai zbatohet nga NSHC në partneritet me Syri i Vizionit dhe Shoqatën e mësimdhënësve të gjuhës angleze dhe studentëve - SOL.

Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë për ripajtimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor nëpërmes rritjes së mobilitietit, aktivizmit dhe bashkëpunimit të të rinjve. Në mënyrë specifike projekti mëton të përmirësojë dialogun ndërkulturor dhe mirëkuptimin në rajon dhe të promovojë kompetencat ndërkulturore si një mjet për përmirësimin e aktivizmit rinor dhe punësimin rinor. Prandaj, një grup i përzier prej 20 të rinjve (10 nga Novi Sadi, Apatini, Kula, Surdulica e Vladicin Hani dhe 10 nga Peja, Gjakova e Prizreni) do të përzgjidhet për pjesëmarrje.

Aktivitetet e mobilitetit dhe trajnimit do të mbahen në dy pjesë:
- Pjesa e parë do të zgjas 3 ditë dhe do të mbahet në tetor të vitit 2018 në Pejë, me vizita në Gjakovë e Prizren.
- Pjesa e dytë do të zgjas 3 ditë dhe do të mbahet në nëntor të vitit 2108 në Shabac, me vizitë në Novi Sad.
Gjuha angleze do të jetë gjuha kryesore e cila do të përdoret përgjatë tërë aktivitetit.
Shpenzimet e trajnimit, udhëtimit, akomodimit, ushqimit dhe pijeve do të mbulohen tërësisht nga projekti.

Kriteret e përzgjedhjes
Pjesëmarrësit e pranueshëm duhet të jenë 18 – 30 vjeç, me aftësi të mjaftueshme të gjuhës angleze për ta ndjekur trajnimin. Përparësi do t’u jepet individëve shumë të motivuar në udhëtime, mësim ndërkulturor, takim të bashkëmoshatarëve nga rajoni dhe shkëmbim rajonal. Gjatë përzgjedhjes, vëmendje do t’i kushtohet përfaqësimit të barabartë gjinor. Përparësi do t’u jepet të rinjve nga grupet më të përjashtuara.

Si të aplikoni
Kandidatët e interesuar duhet të aplikojnë duke plotësuar formularin e aplikacionit dhe dërguar atë në adresën vijuese të e-mailit: [email protected]. Afati i fundit për aplikim është 14 shtator 2018.
Kandidatët e suksesshëm do të lajmërohen deri më 21 shtator. SiV rezervon të drejtën për të ftuar kandidatët potencial për një intervistë gjatë procesit të përzgjedhjes. Lista përfundimtare e kandidatëve të përzgjedhur do të publikohet deri më 28 shtator 2018.
Më shumë informata
Personi kontaktues për të gjitha pyetjet lidhur me këtë Thirrje të Hapur është Vlora Gaxherri (e-mail: [email protected] telefoni: +383 49 361 611).

Shkarko formen e aplikimit

Shkaro thirrjen e hapur