mendo globalisht,
vepro lokalisht

Debati “Krimet ekonomike – lufta kundër tyre”

30.09.2011

30 shtator 2011- Zyrtarë nga Policia, Gjykata Prokuroria, Komuna dhe Dogana, bashke me përfaqësues të shoqërisë civile dhe medieve kanë diskutuar për problemet e krimeve ekonomike në rajonin e Pejës, koordinimin e institucioneve në këtë sektor dhe problematikave me të cilat përballen këto organe.
Përfaqësues të këtyre institucioneve kanë thënë se krimet ekonomike dhe krimet fiskale në përgjithësi janë krimet më të përhapura në Kosovë por për luftimin e të cilave bëhet më së paku dhe kjo ndodh për disa arsye, ndër të cilat mungesa e specializimit të kuadrit në këtë sektor, mosraportimin e rasteve, lidhjeve të strukturave që kryejnë këto krime, etj. 
Në kuadër të debatit “Krimet ekonomike – lufta kundër tyre” është bërë  edhe prezantimi i hulumtimit nga OJQ Syri i Vizionit, të realizuar më parë me institucione të ndryshme në Komunën e Pejës që janë përgjegjëse në luftimin dhe parandalimin e krimeve ekonomike.
Debati është organizuar organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” në Pejë dhe mbahet në kuadër të projektit “Rritja e mbikëqyrjes publike në sundimin e ligjit në Kosovë”, që është duke u implementuar nga dhjetori i vitit të kaluar në disa komuna të Kosovës në bashkëpunim me Forumin për Iniciativa Qytetare (FIQ) nga Prishtina.
Ky është debati i tretë që mbahet pasi më parë janë zhvilluar edhe hulumtimet e më pas debatet për problemet e luftës kundër narkotikëve dhe për sektorin e ndërtimeve pa leje.