mendo globalisht,
vepro lokalisht

Mbahet takim me banorët e fshatit Zllopek

22.03.2013

21 mars 2013- Organizata joqeveritare Syri i Vizionit ka mbajtur takim me banorët e fshatit Zllopek të komunës së Pejës, ku është biseduar për problematikat më të cilët ballafaqohet komuniteti i këtij fshati.
Banorët e këtij fshati në këtë takim janë shprehur të zhgënjyer në punën e institucioneve, që kanë bërë shumë pak në përmirësimin e gjendjes ekonomike, sociale dhe infrastrukturore brenda fshatit të tyre.
Problem shqetësues që rrezikon çdo ditë jetën e banorëve është dëmtimi i rrjetit të rrymës elektrike, ku që nga muaji tetor i vitit të kaluar (2012)e gjer më sot edhe përkundër  kërkesave të shumta në KEK, dhe Komunë ende nuk është sanuar ky problem dhe sot, telat e rrjetit të rrymës qëndrojnë në një distancë prej 1.8 apo 2 metra mbi tokë.
Ata janë shprehur të shqetësuar, se në rast të pësimit të ndonjë banori të këtij fshati apo nxënësve të cilët çdo ditë duhet të kalojnë në këtë zonë ku rrezikohet jeta  e tyre nga telat e rrymës, dikush duhet të japë përgjegjësi .
Por ky nuk është i vetmi problem me të cilin ballafaqohen banorët e fshatit Zllopek, problem i përhershëm mbetet mungesa e ujit të pijes ku të vetmin burim kanë shfrytëzimin e puseve, edhe pse është i pa pijshëm ata janë të detyruar që ta përdorin për pije. Problem mbetet edhe rruga që lidh shkollën e fshatit dhe disa shtëpi me rrugën kryesore  që të shpie për Baran, që gjatë reshjeve atmosferike bëhet e pa kalueshme për nxënës dhe për vetë banorët.
Shqetësim tjetër që paraqesin këta banorë është ura e lumit që ndan fshatin në dy pjesë, e cila ka pësuar dëmtime dhe rrezikon të shembet nga kalimi i makinerive të renda, siç janë makinat bujqësore që posedojnë banorët e këtij fshati të cilat duhet të kalojnë nëpër këtë urë për të arritur te pronat e veta.
Në kuadër të projektit “Aktivizimi qytetar”, Syri i Vizionit i përkrahë komunitetet lokale në adresimin e kërkesave tek ata që janë përgjegjës për realizimin e tyre.