mendo globalisht,
vepro lokalisht

Debat me burrat, si e shohin pozitën e femrës

30.04.2013

30 prill- Organizata Joqeveritare “Syri i Vizionit” ka mbajtur tryezën e tretë “Ngritjen e pozitës së gruas në proceset e paqe-bërjes dhe paqe-ruajtjes”. Pas debateve të mbajtura më parë me përfaqësues të femrave dhe të rinjve të Pejës, pjesëmarrës në këtë debat kanë qenë burrat e qytetit të Pejës, që kanë biseduar se si ata e shohin përfshirjen e femrave në mekanizmat ekzistuese për ndërtimin e paqes.

Burrat e pranishëm në këtë tryezë kanë kërkuar që vetë femrat duhet të jenë më këmbëngulëse dhe më të organizuara për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të arritur në pozitë të barabartë më meshkujt. Gjithashtu, ata kanë qenë vetë kritikë se edhe ata si burra që udhëheqin me sektorë të ndryshëm, institucione apo në parti politike nuk kanë bërë aq sa duhet apo aq sa obligohen edhe me ligj që femra të jetë më e fuqishme në vendimmarrje.
Ata u pajtuan se institucionet përgjegjëse duhet bëjnë më shumë në zbatimin e ligjeve e jo ato të mbesin ne letër, ndërsa kanë kërkuar që institucionet lokale dhe ato qendrore duhet të ndajnë më shumë buxhet për aktivitete për fuqizimin e femrës në vendimmarrje. Po ashtu, ata janë pajtuar se  duhet të bëhen shumë më shumë fushata vetëdijesimi nga institucionet, partitë politike nga vetë shoqëria civile në zonat rurale dhe urbane, për trajtim të barabartë të femrave në shoqëri, mbështetje në familje dhe në shoqërinë kosovare.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin, zyrtarë nga Komuna e Pejës, këshilltarë në Asamblenë Komunale, përfaqësues të partive politike, shoqërisë civile dhe mediat.
Tryeza “Gatishmëria e femrave dhe përfshirja e tyre në mekanizmat ekzistuese mbi ndërtimin e paqes” ishte tryeza e fundit që është mbajtur në kuadër të programit “Ngritja e pozitës së gruas në proceset e paqe-bërjes dhe paqe-ruajtjes”. Qëllim i këtyre tryezave ka qenë ngritja e participimit të gruas gjatë proceseve të ndërtimit të paqes dhe të planifikimit pas konflikteve. Tryeza të tilla janë mbajtur edhe në nëntë komuna tjera të Kosovës si pjesë e projektit të përbashkët të organizatave ndërkombëtare UN Women, EU dhe UNDP në partneritet me organizatat joqeveritare vendore.