mendo globalisht,
vepro lokalisht

Bashkëpunimi i institucioneve për të ndihmuar qytetarët për pronat

01.05.2015

 

Istog, 30 prill- Përfaqësues të institucioneve të ndryshme që merren me pronën, kanë diskutuar së bashku në një tryezë të rrumbullaket, në kërkim të zgjidhjes së mënyrave për të lehtësuar qytetarët në regjistrimin e pronave dhe gjetjen e mënyrave më të përshtatshme për të zgjidhur dhe bartur trashëgimitë. Përfaqësues nga Komuna e Istogut, drejtoria e Urbanizmit, Kadastrës, Administratës, nga Gjykata themelore e Istogut, prokuroria, Policia e Kosovës, noterë, avokatë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë diskutuar për vështirësitë që ka në procesin e regjistrimit të pronave dhe zgjidhjen e trashëgimisë, si dhe mundësitë që janë për të ndikuar sa më shumë në vetëdijesimin e qytetarëve për të zgjidhur çështjet pronësore.
Në këtë tryezë janë diskutuar çështjet që kanë dalë nga debatet e mëparshme me qytetarët në komunat Pejë, Klinë, Deçan e Istog, janë nxjerrë rekomandime për përmirësimin e sistemit. Përfaqësues të Komunës, Gjykatës dhe Noterisë kanë paraqitur njëri tjetrit vështirësitë me të cilat përballën në punën e ndërsjellë dhe kanë dhënë rekomandimet se si të evitohen parregullsitë, se si qytetarit t’i shërbehet as më mirë në zgjidhjen e problemeve të veta.
Tryeza është mbajtur në kuadër të projektit “Mbroje pronën tënde” që Syri i vizionit po implementon me financim nga USAID/ATRC dhe ka për qëllim vetëdijesimin për çështjet e pronës dhe zgjidhjes së trashëgimisë.