mendo globalisht,
vepro lokalisht

Problemet me pronësinë kërkojnë angazhimin e të gjithë institucioneve

03.06.2015

Pejë, 03 qershor- Përfaqësues të institucioneve që kanë të bëjnë me pronën në Komunën e Pejës kanë diskutuar në një tryezë të rrumbullakët për problemet që janë ngritur në takimet me qytetarët, e që lidhen me pronësinë dhe çështjet e trashëgimisë. Gjetjet që kanë dalë në takimet e mbajtura me qytetarët, kryesuesit dhe përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve në komunat Pejë, Klinë, Deçan dhe Istog janë diskutuar në tryezë, duke adresuar ato dhe në formën e rekomandimeve për institucionet përkatëse. Njëkohësisht përfaqësues dhe udhëheqës nga Gjykata Themelore e Pejës, Prokuroria themelore e Pejës, Policia e Kosovës, Noteria, Kuvendi Komunal, Drejtoria e kadastrit, Drejtoria e çështjeve pronësore, Zyra ligjore e Komunës së Pejës, Drejtoria e Administratës- shërbimi civil komunal, OSBE, Shërbimi ndërmjetësimit në Pejë, Shërbimi i ndihmës juridike falas dhe avokatë nga Peja kanë diskutuar mes veti për koordinim më të mirë të punëve dhe në evitimin e rasteve të pritjes ëpr qytetarët, ofrimin e shërbimeve më të mira dhe për të lehtësuar punë njëri tjetrit në shërbim të përmirësimit të shërbimeve të ofruara.
Pjesëmarrësit në tryezë janë pajtuar që duhet punuar edhe më shumë në vetëdijesimin e qytetarëve, pasi problemet në këtë sektor janë të shumta, dhe ato duhen zgjidhur me angazhim të përbashkët të të gjithë akterët.
Tryeza ka qenë aktiviteti përmbyllës në projektin “Mbroje pronën tënde”, që Syri i Vizionit” ka implementuar me mbështetjen financiare nga USAID/ATRC.