mendo globalisht,
vepro lokalisht

U mbajt koncerti “Tinguj të bardhë”

16.10.2015

Pejë, 15 tetor 2015
Organizata “Syri i Vizionit” nga Peja në bashkëpunim me Qendrën burimore për mësim dhe këshillim “Xheladin Deda” në Pejë, kanë mbajtur koncertin “Tinguj të Bardhë” kushtuar komunitetit të të verbërve në Kosovë. Në kuadër të Javës ndërkombëtare të sensibilizimit me personat me shkop të bardhë, programi është përmbyllur me interpretime nga nxënës dhe ish nxënës të shkollës së vetme për të verbër në Kosovë. E veçanta ka qenë se për herë të parë në një koncert interpretojnë pikat muzikore të këndimit, instrumentaleve dhe pikat korale nga vet personat e verbër dhe me dëmtime pamore, që e ka bërë shfaqjen në teatrin “Istref Begolli” më të veçantë.
“Kjo po ndodh për herë të parë tek ne. Java ndërkombëtare e njeriut me shkop të bardhë ka për qëllim të na e përkujtojë, se na duhet t’u ofrojmë pak ndihmë atyre, në mënyrë që ata ta shprehin veten” ka thënë drejtori i QBMK, Xhavit Kastrati.
“Ata nuk shohin, por e ndjejnë muzikën, notat dhe melodinë. Ne i kemi sjellë në këtë program për të dëshmuar se të gjithë ne mund t’ia dalim, por duhet vetëm pak ndihmë”, thotë Naser  Lajçi nga OJQ Syri i Vizionit, që ka organizuar këtë koncert. Aktiviteti mbahet në kuadër të programit Culture for all, të Komisionit Evropian, që në Kosovë implementohet nga InterArts.
Në program nxënës dhe ish nxënës kanë interpretuar këngë, pjesë instrumentale në piano dhe disa pjesë korale. Programi ka pasur për qëllim inkurajimin e personave të verbër dhe me dëmtime pamore që të merren me krijimtari dhe konkretisht në lëmin e muzikës.