mendo globalisht,
vepro lokalisht

Shkollat e gatshme t’i fuqizojnë dhe funksionalizojnë kutitë e ankesave

13.05.2016

Në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta të komunave më të mëdha të Kosovës, Syri i Vizionit dhe Save the Children janë duke implementuar programin për mbrojtjen e fëmijëve që ka për qëllim fuqizimin e mekanizmave brenda shkollës për mbrojtjen e fëmijëve dhe krijimin e një  ambienti komod dhe të sigurt për ta.
Në 14 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta në shtatë komuna janë duke u krijuar komisionet për administrim dhe funksionalizim të kutive të ankesave me vendim të këshillave drejtues të shkollave dhe më sugjerim të Syri i Vizionit dhe Save the Children dhe drejtorëve të shkollave.
Përbërja e komisionit do të jetë gjithëpërfshirës: dy mësimdhënës, nga të cilët njëri zgjidhet nga vetë mësimdhënësit e tjetri nga nxënësit; dy fëmijë që zgjidhen nga këshilli i nxënësve dhe dy prindër që po ashtu zgjidhen nga këshilli i prindërve.
Ky komision çdo muaj do të hapë kutinë e ankesave dhe të dalat nga kutia do t’ia paraqesë këshillit drejtues përmes një raporti me shkrim, ndërsa këshilli drejtues i shkollës do të ketë përgjegjësinë për ndërmarrjen e veprimeve karshi të dalave nga kutia. Po ashtu komisioni ka përgjegjësi që të bëjë edhe një njoftim publik për fëmijët dhe stafin e shkollës, që ata të kenë informata lidhur me përmbajtjen dhe trajtimin  ankesave që mund të jenë gjetur në këtë kuti.
Kështu ky komision do të rrisë besueshmërinë e fëmijëve në këtë mekanizëm për t’i adresuar të gjitha shqetësimet apo problematikat, por në të njëjtën kohë fëmijët do të kenë mundësi që për mes kësaj kutie të shprehin edhe lëvdatat dhe iniciativat e mira të ndërmarra nga stafi pedagogjik, punonjësit teknik, vetë fëmijët por edhe prindërit.
Kështu kjo kuti do t’i shërbejë shkollës si një mekanizëm tjetër shtesë i një komunikimi më specifik të fëmijëve me shkollën, në adresimin e shumë çështje të cilat fëmijët nuk dëshirojnë apo nuk e kanë guximin që ta bajnë drejtpërdrejt tek kujdestari i klasës, psikologu apo pedagogu dhe drejtori i shkollës.
Deri më tani komisione të tilla janë krijuar në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta “Ibrahim Fehmiu” dhe “Haziz Tola” në Prizren, “Ramiz Sadiku” në Pejë, “Andon Zako Çajupi” dhe “Bedri Gjinaj” në Mitrovicë, “Mustafa Bakija” në Gjakovë , “Jeronim De Rada” dhe “Tefik Çanga” në Ferizaj.
Ndërsa komisione të tilla janë në krijim edhe në shkolla tjera si në “Xhemail Kada” në Pejë, “Zekeria Rexha” në Gjakovë, “Ismail Qemali” dhe “Naim Frasheri” në Prishtinë, si dhe në shkollat “Thimi Mitko” dhe “Selami Hallaqi” në Gjilan.