mendo globalisht,
vepro lokalisht

Filloi "Shkolla e ndërmarrësisë" me gratë e suksesshme nga rajoni

15.07.2016

Pejë, 15 korrik- Syri i Vizionit ka filluar “Shkollën e ndërmarrësisë”, në të cilën marrin pjesë mbi 20 gra nga komunat e rajonit të Dukagjinit. Të përzgjedhura nga politika, biznesi dhe shoqëria civile, gra të suksesshme që janë aktive në komunitet dhe paraqesin një bazë të fortë për ndryshime, grupi i vijuesve të Shkollës së Ndërmarrësisë kanë ndjekur punëtorinë e parë lidhur me qeverisjen proaktive, përkatësisht “përfshirjen e perspektivës gjinore në politikëbërje dhe praktikat e suksesshme të barazisë gjinore”, me ligjëruese Luljeta Demolli nga Qendra kosovare për studime gjinore.
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të Projektit për përkrahjen e grave që Syri i Vizionit nga muaji shkurt ëstë duke e realizuar në komunat Pejë, Istog, Deçan dhe Junik me mbështetjen financiare nga USAID/ATRC.
Punëtori të ngjashme do mbahen në tetë muajt e ardhshëm, nga një trajnim në muaj në tema si: Qeverisja Proaktive - Praktikat e Mira Rajonale dhe Ndërkombëtare; Komunikimi Politik - Afërsia dhe Përfaqësimi i Interesave te Qytetareve; Gratë në Biznes: Ndërmarrësi, Marketing, Strategji dhe Plane Biznesi, Shkathtësi Menaxheriale; Inovacion dhe Konkurrencshmeri; 'Start-ups' dhe Inkubim Biznesi; Demokraci Kualitative dhe Kontributi i Grave në Luftën Kundër Korrupsionit; Politikbërja Zhvillimore dhe Praktikat e Suksesshme të Barazisë Gjinore; E drejta pronësore e gruas.
Në kuadër të këtij projekti mbahen edhe forumet tematike me gratë asambleiste nga këto katër komuna, aktivitete të këmbimit të përvojave dhe promovimit të rasteve të suksesshme të femrave në rajon, mentorim dhe këshillim për femrat në karrierë.