mendo globalisht,
vepro lokalisht

Kosova merr shembull Suedinë në legjislacionin për mbrojtjen e fëmijëve

14.12.2016

Kosova merr shembull Suedinë në legjislacionin për mbrojtjen e fëmijëve

Stokholm, 14 dhjetor - Një delegacion nga Kosova i kryesuar nga Grupi parlamentar për barazi gjinore, të drejta të njeriut, persona të pagjetur dhe peticione, këshilltari I ministrisë së punës dhe mirëqenies sociale, organizatat e shoqërisë civile Syri i Vizionit dhe Rograek, mbështetur nga Save the Children zyra në Kosovë, janë duke realizuar vizitë studimore në Suedi për t’u njohur  me legjislacionin e këtij shteti në fushën e mbrojtjes së fëmijë.
Gjatë vizitës studimore do të ketë takime pune me organizatën Save the Children në Suedi, ku do të njihen më ligjin dhe masat ndëshkimore që ka legjislacioni suedez në ndalimin e dhunës dhe ndëshkimit trupor ndaj fëmijëve, pasi Kosova është duke hartuar Ligjin për Mbrojtjen e fëmijës që do të mbrojë fëmijët nga dhuna fizike dhe ndëshkimi trupor duke ndikuar kështu në përmirësimin e situatës së fëmijëve dhe duke i mbrojtur ata në çdo ambient. Syri i vizionit dhe Save the Children kanë ofruar mbështetjen e tyre në këtë proces me disa rekomandime dhe plotësimin në draftin e ligjit në mënyrë që ai të jetë i qartë në disa pika sidomos ato lidhur me ndëshkimin trupor, etj.
Gjatë kësaj vizite një javore, delegacioni nga Kosova do të ketë takime edhe me sekretarin e Ministrisë për punë dhe mirëqenie sociale, Avokatin e Popullit, Universitetin e Stokholmit, Fakultetin e drejtësisë dhe Qendrën për të drejtat e fëmijëve, si dhe do të vizitojë disa qendra  strehuese për mbrojtjen e fëmijëve.
Në vazhdën e vizitës studimore delegacioni është pritur në një takim edhe nga Ambasada e Kosovës në Suedi, ku ambasadori Ilir Dugolli, ka njoftuar delegacionin për punën e kësaj ambasade dhe për shërbimet që ofron ajo për bashkatdhetarët.
Kjo vizitë është mundësuar nga Save the Children zyra e Kosovës dhe Save the Children në Suedi.