mendo globalisht,
vepro lokalisht

Publikohet “Analiza mbi mekanizmat e përdorur për identifikimin dhe raportimin e dhunës në shkollë”.

18.12.2017

Dhjetor, 2017 - Organizata Syri i Vizionit në partneritet më Save the Children zyra në Kosovë, kanë publikuar raportin  “Analiza mbi mekanizmat e përdorur për identifikimin dhe raportimin e dhunës në shkollë”, në kuadër të programit tematik në fushën e mbrojtjes së fëmijëve “Detyrimi ynë për të Ardhmen – Mbrojtja e Fëmijëve dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës”.

Raporti, pasqyron gjendjen reale, duke filluar me relacion ndaj dhunës në shkolla fillore dhe të mesme të ulëta nga kënde dhe perspektiva të ndryshme, legjislacioni dhe politikat shtetërore,  mekanizmat institucionalë për parandalim dhe reagim ndaj dhunës, shërbimet institucionale në dispozicion për të mbrojtur fëmijët nga dhuna deri tek perceptimi dhe reagimi i fëmijëve/nxënësve ndaj dhunës së shfaqur në shkollë. Nga ky hulumtim u nxor në pah situata reale e shkollave tona dhe e shërbimeve që ato ofrojnë në funksion të parandalimit dhe referimit të rasteve të dhunës në shkolla. Nga përceptimi i përgjithshëm, u pa se mekanizmat ekzistojnë në mënyrë legjitime (Këshilli Drejtues i Shkollës, Këshilli i prindërve, Këshilli i nxënësve, aktivet dhe shërbimet profesionale),  por nuk ka informacion të plotë mbi funksionimin e tyre, në kuptimin e shtrirjes së informatës dhe ndikimit/ndjeshmërisë së veprimeve të tyre te të gjitha subjektet relevante në kuadër të shkollave.
Po ashtu, ka probleme të theksuara në aspektin e koordinimit të organeve të shkollës dhe me ato jashtë shkollës (QPS, Policia, QMF, etj), për të ofruar qasje multidisiplinare të trajtimit të elementeve të dhunës, duke marrë shërbimet e duhura shtesë për rastet në nevojë.  Njëkohësisht vërehet mungesa e psikologut dhe  shërbimeve tjera profesionale mbështetëse (Pedagog, mjekut, logopedit,etj),  të cilat do ta ndihmonin stafin në identifikimin dhe trajtimin e problemeve, por edhe në ndërtimin e mërrëdhënieve të shëndosha në të gjitha relacionet brenda komunitetit shkollor.
Raporti është prezantuar edhe para institucioneve përgjegjëse që për mandat kanë mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna në nivel komunal, në komunat Pejë, Klinë, Gjakovë, Prizren dhe Gjilan, komuna këto ku edhe është bërë ky hulumtim.
Institucionet pjesmarrëse në këto takime kanë vlerësuar shumë këtë raport, duke e parë si diçka që do t'i ndihmojë ato në hartimin e politikave apo veprimeve konkrete në institucionet e tyre duke ndikuar kështu në krijimin dhe fuqizimin e mekanizmave ligjorë për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna në shkolla dhe referimin e trajtimin e rasteve të tilla më kohë.