mendo globalisht,
vepro lokalisht

Mbahen sesionet përcjellëse të disiplinës pozitive të prindërimit

07.02.2018

Pejë, Gjakovë, 07 shkurt- Janë mbajtur sesionet përcjellëse me fokus grupet e prindërve të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta “Zekeria Rexha” dhe “Yll Morina” në Gjakovë dhe “Ramiz Sadiku” në Pejë, të cilat më parë janë trajnuar në disiplinës pozitive në prindërimin e përditshëm. Ky sesion është pjesë e monitorimit dhe vlerësimit për të parë dhe matur ndryshimet dhe qasjen e prindërve pas tre muajve që kanë kaluar trajnimin e disiplinës pozitive.
Prindërit janë shprehur shumë të kënaqur me njohuritë që kanë fituar nga disiplina pozitive dhe ndryshimet që ata kanë filluar t’i praktikojnë me fëmijët e tyre, pasi sipas tyre kjo qasje e re e punës me fëmijë është shumë më e mirë dhe më e pranueshme për fëmijët dhe vetë ata, se sa metodologjinë që kanë përdor më herët.
Disa nga prindërit kanë treguar përvojat e tyre me reagimet që kanë pasur edhe fëmijët për ndryshimet e tyre në komunikim apo raport me ta, madje sipas tyre, kjo ka ndikuar që fjalori dhe veprimet e tyre si prindër të jenë shumë më ndryshe se sa më parë. Bile, edhe në bisedat që kanë pasur më prindërit tjerë, kanë ndarë njohurit e fituara përmes këtij trajnimi dhe kanë nxitur edhe dëshirën e prindërve tjerë për të qenë pjesë e trajnimeve apo sesioneve me grupet e reja të prindërve.
Disiplina Pozitive është një qasje e edukimit, e cila e drejton sjelljen e fëmijës në të njëjtën kohë duke respektuar të drejtën e tyre për një mjedis të sigurt, mbrojtje nga dhuna si dhe pjesëmarrjen në edukimin e tyre.  
Trajnimet për disiplinën pozitive në prindërimin e përditshëm do të realizohen edhe këtë vit dhe vitet në vijim me prindër në komuna dhe shkolla të ndryshme në kuadër të programit “Detyrimi ynë për të Ardhmen – Mbrojtja e Fëmijëve dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës” të implementuar nga Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children zyra në Kosovë.