mendo globalisht,
vepro lokalisht

Shqyrtohet draft rregullorja komunale për themelimin dhe strukturimin e Asamblesë Komunale të Fëmijëve

27.02.2019

Në komitetet për politikë dhe financa të komunave të Pejës, Gjakovës, Klinës, Mitrovicës dhe Ferizajt është bërë shqyrtimi i draft rregullores komunale për themelimin dhe strukturimin e Asamblesë Komunale të Fëmijëve si dhe është miratuar për procedim në Kuvendet Komunale përkatëse.

Kjo rregullore do të jetë pikë e rendit të ditës për diskutim dhe miratim në mbledhjet e rregullta të kuvendeve komunale, të cilat mbahen në javën e fundit të muajit shkurt. Më pas ajo do të vihet në diskutim publik. Sipas procedurave ligjore, pas diskutimit publik, rregullorja në fjalë do të dërgohet sërish në mbledhjet e radhës së Kuvendeve Komunale, të cilat do të mbahen në javën e fundit të muajit mars, dhe do të miratohet.

Peja, Gjakova, Klina, Mitrovica dhe Ferizaj do të jenë komunat e para në Kosovë të cilat do ta miratojnë një rregullore të tillë duke i dhënë kështu Asamblesë Komunale të Fëmijëve bazë ligjore dhe rrjedhimisht obligojnë institucionet komunale të mbështesin këtë strukturë të organizimit të fëmijëve në nivel komunal.

Rregulloret e tilla do të procedohen edhe në komunën e Prishtinës, Prizrenit dhe Gjilanit.
Rregullorja për themelimin dhe strukturimin e Asamblesë Komunale të Fëmijëve është sponsorizuar nga organizata Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children, Zyra në Kosovë, në kuadër të programit tematik “Detyrimi ynë për të Ardhmen - Mbrojtja e Fëmijëve dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës”.

Tash e sa vite, Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children janë duke punuar në fuqizimin e Asambleve Komunale të Fëmijëve dhe institucioneve për ofrimin e shërbimeve profesionale e cilësore për fëmijë dhe qeverisjes me të drejtat e tyre me pjesëmarrje të drejtpërdrejte të fëmijëve në hartimin dhe zbatimin e politikave lokale e nacionale.