mendo globalisht,
vepro lokalisht

Mbahet Punëtoria për Shqyrtimin e Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijës

27.02.2019
Durrës, 23-26 shkurt 2019

Komisioni Parlamentar për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i mbështetur nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Kosovë (OSBE) dhe Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children Zyra në Kosovë, ka mbajtur punëtorinë treditore për shqyrtimin e Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.

Punëtoria është mbajtur me qëllim  të përfshirjes së komenteve dhe rekomandimeve të dala nga deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë leximit të parë të këtij Projektligji si dhe komenteve e sugjerimeve të marra nga grupet e interesit të cilat punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijës në Kosovë.

Të pranishëm në këtë punëtori ishin anëtarët e Komisionit Parlamentar për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Avokati i Popullit, Drejtori i Zyrës Për Qeverisje të Mirë, Drejtori dhe Koordinatori i Zyrës Ligjore të Zyrës së Kryeministrit, përfaqësues të organizatave vendore e ndërkombëtare të cilat punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe qeverisjes me të drejtat e tyre, Syri i Vizionit, Save the Children Zyra në Kosovë, OSBE-së, UNICEF dhe Qendra për Studime të Avancuara - FIT.

Organizatat Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children Zyra në Kosovë, në kuadër të programit tematik në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe qeverisjes me të drejtat e fëmijëve “Detyrimi ynë për të Ardhmen - Mbrojtja e Fëmijëve dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës” janë pjesë aktive e punës në hartimin dhe finalizimin e këtij projektligji, dhe do të vazhdojnë të ndihmojnë e përcjellin çdo procedurë deri në miratimin e këtij projektligji dhe hyrjen e tij në fuqi.