mendo globalisht,
vepro lokalisht

Kërkohet miratim sa më i shpejtë i Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve

24.06.2019

Organizuar nga Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children, Zyra në Kosovë, nëbashkëpunim me Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, qytetarë, fëmijë, anëtarë të shoqërisë civile e deputetë kanë marshuar prej Kuvendit të Kosovës deri tek Sheshi “Zahir Pajaziti” duke kërkuar miratimin sa më të shpejtë të Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.

Me këtë rast, deputetja Duda Balje, njëherësh Kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, tha se kanë bërë një punë të mirë me Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, përderisa u shpreh se brenda disa ditëve do të hedhet në votim të dytë ky projektligj.

“Kemi përfunduar punën. Kemi bërë një ligj shumë të mirë. Kemi ndarë ligjin në disa pjesë shumë të rëndësishme për fëmijët e Kosovës. Tash jemi veç duke pritur votimin e dytë brenda parlamentit. Unë jam e sigurt se brenda disa ditëve do ta kryejmë këtë punë. Kemi edhe një obligim tjetër, me e prezantu ligjin tek ju, që ju me e ditë se cilat janë të drejtat tuaja. Sot, jemi këtu me fol për papuçen. Na e dimë se për papuçen mundemi me fol shumë, unë jam gati e sigurt se na jemi duke e përdorë papuçen veç për punë të mira”, tha Balje.

Deputetja Mexhide Mjaku-Topalli u shpreh se kjo fushatë është një kambanë që po bie përtë gjithë, për t'i thënë jo dhunës dhe abuzimeve.

Mjaku-Topalli tha se fëmijët përbëjnë të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Prandaj, shtoi ajo, secili nga ta duhet të gëzojë të drejtën të rritet në një mjedis të sigurt dhe të qetë sikurse në shkollë, familje apo komunitet.

“Shqetësimi ynë si institucione është se fëmijët tanë po ballafaqohen me situata të vështira, rreziqe, dhunë, kërcënime dhe vrasje. Rasti i fundit në Gjilan që tronditi gjithë opinionin, është një alarm për të gjithë ne dhe duhet t’i thërrasim ndërgjegjes tonë që masat parandaluese për sigurinë e fëmijëve duhet të merren në mënyrë emergjente. Ne së bashku, mundemi dhe duhet të krijojmë ambiente të sigurta, të sigurojmë rrugët, duke mbuluar vendbanimet me kamera, të vendosim ndriçim në mënyrë që fëmijëve t’iu sigurohet më shumë mbrojtje në rrugë dhe në vendet ku ata veprojnë”, u shpreh ajo.

Drejtori i Save the Children, Ahmet Kryeziu, tha se si organizatë janë krenarë që kanë pasur rastin të punojnë në ndërgjegjësimin e shoqërisë sa i përket dhunës në familje, në të gjitha hapësirat ku fëmijët veprojnë.

“Ftoj nga këtu, të gjithë përfaqësuesit e popullit, të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile, prindërit, dhe të tjerët, që të angazhohemi së bashku, që fillimisht me aprovimin e Ligjit për të Drejtat e Fëmijëve, të fillojmë të mendojmë më ndryshe”, tha ai.

Naser Lajqi nga Syri i Vizionit tha se të rriturit kanë përgjegjësi dhe obligim t'u ofrojnë dashuri dhe krejt ato që fëmijët meritojnë.

Ai uroi që më së largu, në korrik të këtij viti të miratohet Ligji.

E në emër të fëmijëve foli Fleta Mujaj, e cila tha se papuçja e çfarëdo mënyre tjetër e ndëshkimit vetëm sa rrit pasojat që kanë me i përcjellë fëmijët gjatë gjithë jetës.