mendo globalisht,
vepro lokalisht

Përmbyllet ekspozita dhe ndahen çmimet për shkollat në lëndën “Orientimi në karrierë”

16.12.2019

Pejë, 16 dhjetor - Është përmbyllur ekspozita me punimet e shkollave fillore të ulëta të mesme së komunës së Pejës. Ekspozita në fjalë kishte kishte për qëllim promovimin dhe avokimin për lëndën e orientimit në karrierë, përkatësisht të talentit, interesit, dëshirave, preferencave të nxënësve karshi edukimit te mëtutjeshëm, përzgjedhjes së profesionit e karrierës.

Të gjitha këto, nxënësit e këtyre shkollave i kanë shprehur përmes artit dhe eseve, përderisa sot, e hënë, është bërë edhe shpallja e shkollave fituese - nxënësit e të cilave kanë arritur të grumbullojnë pikët maksimale në pikturë dhe ese për tematikën e orientimit në karrierë.

Komisioni i përbërë prej Drejtorisë Komunale të Arsimit, OJQ-së Syri i Vizionit dhe Solidar Suisse, kanë përzgjedhur tetë shkollat fituese të kësaj ekspozite dhe ato janë: “Asdreni”, Dardania” Lidhja e Prizrenit”, “28 Nëntori”,“Skënder Çeku”, “Sami Frashëri”, “7 Shtatori” dhe “Xhemail Kada”.

Të gjitha këtyre shkollave u është dhuruar nga një çek me një shumë simbolike parash të cilat do të mund të shfrytëzohen për blerje të materialit të nevojshëm shkollor.

Përpos që kanë falenderuar shkollat për punën dhe angazhimin e tyre në zhvillimin e lëndës së orientimit në karrierë, përfaqësues nga DKA, Solidar Suisse dhe Syri i Vizionit po ashtu janë zotuar se do të vazhdojnë edhe me tutje të punojnë në këtë fushë së bashku me shkollat në mënyrë që fëmijët në komunën e Pejës ta kenë me të lehtë të përzgjedhin lëmin e tyre të edukimit dhe të krijohen kuadro të duhura për tregun e punës.

Në anën tjerët drejtorët e shkollave, mësimdhënësit dhe nxënësit kanë falenderuar organizatat Syri i Vizionit, atë Solidar Suisse dhe DKA-në për këtë mundësi. Në të njëjtën kohë, ata kanë kërkuar që ekspozita të tilla të organizohen më shpesh pasi që shkollat dhe fëmijët kanë nevojë të ekspozojnë punët që bëjnë edhe para të tjerëve e jo vetëm brenda shkollave tët yre.

Ekspozita e “Orientimit në karrierë” ka qëndruar e hapur për një javë (09-13 dhjetor) dhe është realizuar në kuadër të projektit ProCareer i cili zbatohet nga Syri i Vizionit me mbështetje financiare nga Solidar Suisse në Kosovë.