mendo globalisht,
vepro lokalisht

Syri i Vizionit bëhet 21 vjeç

29.09.2020

Sot, më 29 shtator, Syri i Vizionit e ka ditëlindjen. Këtë vit bëhen 21 vjet nga fillimi i punës tonë. Si të rinj të dalë nga lufta, të etur për ndryshime, donim të bënim diçka për vendin tonë. Përderisa të gjithë po përpiqeshin të siguronin kulm mbikokat e tyre, ne, disa të rinj, po mundoheshim të fillonim të bënim diçka që do t’i shërbente vendit tonë. Në shtator të vitit 1999 arritëm që të fillojmë konkretizimin e projektit tonë të parë. Ia kishim vënë pikën. Për një muaj rreth vetes kishim mbi 40 të rinj e të reja, kryesisht nga Peja. E kishim saktësuar që na duhej të mblidhnim sa më shumë probleme që kishim si shoqëri dhe të fillonim t’i trajtonim një nga një.

 

Motoja e veprimit ishte dhe mbeti: “Mendo Globalisht, Vepro Lokalisht”.

 

Për këto 21 vjet nuk mund të shpjegohet sa qindra e qindra projekte janë realizuar, sa mijëra e mijëra njerëz janë bërë pjesë e procesit tonë. Është i paimagjinueshëm, por edhe i pafund ndikimi në përmirësimin e jetës së qytetarëve tonë. Vetëdijesim, Informim dhe Avokim në formën me te avancuar, për të bërë që çdo e mirë që ndodhë nëpër botë të sillet si përvojë edhe tek ne. Forcim i demokracisë, Mbrojtje e të drejtave të njeriut, Dialog social, Zhvillim ekonomikMjedis e Mobilitet urban, janë këto programe afatgjata të organizatës tonë që gjetën mbështetjen e qytetarit e në shumë raste edhe të institucionevetona në nivel lokal e qendror, e gjithmonë mbështetje të fuqishme nga partnerët e donatorët nga të gjitha vendet perëndimore. Falënderime pafund për secilin prej tyre!

 

Jemi fort të gëzuar që kemi kaq shumë miq, kudo. Në Kosovë, miqtë tanë më të mirë janë fëmijët, gratë, të rinjtë, komunitetet pakicë, fermerët, mësimdhënësit, prindërit, organizatat joqeveritare, mediat, përfaqësuesit e fshatrave e lagjeve nëpër shumë komuna anekënd vendit, asamblistët nëpër të gjitha komunat e Kosovës, deputetët, administratat e shumë komunave, ministri të ndryshme, vet Qeveria e Kosovës, partnerë e organizata të shumta nëpër të gjitha vendet e Ballkanit... Lista është shumë e gjatë e puna shumë e madhe... miqësia është bazë e besueshmërisë së ndërsjellë për të mos u ndalur. 

Duke falënderuar secilin prej jush që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi i cili do të vazhdojë, urojmë që së bashku të punojmë e festojmë edhe shumë përvjetorë të organizatës!