mendo globalisht,
vepro lokalisht

SEED Faza III mbështet Qendra të Karrierës, Kabinete të Kuzhinës dhe Biblioteka në shkolla të ndryshme të Kosovës

31.05.2021

Në bashkëpunim me shkollat e mesme të larta ekonomike nga komunat e Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit, organizata Syri i Vizionit ditëve të fundit ka organizuar dhe po vazhdon të organizojë aktivitetin e titulluar “Ditët e dyerve të hapura”. Ky aktivitet ka për qëllim njohjen nga afër të prindërve, nxënësve të klasave të nënta, bashkëpunëtorëve, bizneseve dhe të interesuarve tjerë me shkollat, ambientet e tyre, veprimtarinë, drejtimet si dhe mundësitë e punësimit e zhvillimit të karrierës që ato ofrojnë. 

 

Në kuadër të projektit SEED Faza III, i cili zbatohet nga organizatat Volkshilfe Solidaritat dhe Syri i Vizionit me financim nga Agjencia Austriake për Zhvillim - ADA, këto ditë janë promovuar tri Qendra të Karrierës, Kabinete të Kuzhinës dhe Biblioteka në shkollën e mesme të lartë ekonomike “Ali Hadri” në komunën e Pejës, atë “YmerPrizreni” në Prizren si dhe shkollën “Kadri Kusari” në Gjakovë.

 

Sot, më 31 maj, në praninë e Kryetarit të komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, Drejtorisë lokale të Arsimit, Ministrisë së Arsimit dhe shumë bashkëpunëtorëve të shkollës së mesme ekonomike të kësaj komune - “Ymer Prizreni”, është bërë inaugurimi i Qendrës së Karrierës si dhe Kabinetit të Kuzhinës edhe në këtë komunë. 

 

Në fjalimin e tij me këtë rast, Kryetari Haskuka theksoi se shkolla në fjalë ofron drejtime për aftësim profesional të nxënësve dhe se ato janë fusha të cilat kërkohen nga bizneset lokale në komunën që ai drejton. Haskuka tha se me inaugurimin e kabinetit të kuzhinës, kjo shkollë pothuajse po kompletohet me kabinete profesionale të cilat u mundësojnë nxënësve dhe mësimdhënëseve ta kryejnë punën praktike në shkollë dhe në të ardhmen të jenë me konkurrent për tregun e lirë të punës. 

 

Po ashtu, sipas tij, Qendra e Karrierës do të luaj rol të rëndësishëm për ndërlidhjen e shkollës me biznese dhe ofrimin këshillave të nevojshme për nxënësit që të zhvillojnë karrierën e tyre në të ardhmen. Me këtë rast, ai falënderoj organizatën Syri i Vizionit, e cila në kuadër të programit SEED III,  ka bërë të mundur inaugurimin e këtyre hapësirave. 

 

Ndërkohë, Xhemile Thaqi-Vezgishi, Drejtoreshë e Arsimit në komunën e Prizrenit, theksoi se hapësirat e reja të inauguruara do të jenë një mbështetje e madhe për nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle që të zhvillojnë aftësitë dhe shkathtësitë e tyre, gjë që do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në bizneset e komunës së Prizrenit.

 

Edhe Valbona Fatiu-Mjeku, Udhëheqëse e Divizionit për arsim dhe aftësim profesional dhe arsim për të rritur në Ministrinë e Arsimit, vuri në pah se investimet e bëra në këtë shkollë janë në linjë me strategjinë e Ministrisë se Arsimit në Kosovë, e cila është e fokusuar që të bëjë ngritjen e laboratorëve profesional brenda shkollave si dhe themelimin e Qendrave të Karrierës. Sipas saj, ato do të luajnë rol të rëndësishëm në orientimin e nxënëseve drejt profesioneve të cilat ofrojnë mundësi të punësimit pas përfundimit të shkollës se mesme dhe do të bëjnë ndërlidhjen e shkollës me bizneset.

 

Dukagjin Nishiqi, përfaqësues i organizatës Syri i Vizionit, tha se ndihet i lumtur me të arriturat e projektit të cilin ai e drejton dhe mundësinë e dhënë për t’i ndihmuar shkollat në komuna të ndryshme të Kosovës. Për këtë ai falënderoi partnerin, komunat me të cilat ka pasur bashkëpunim të sinqertë si dhe donatorin.

 

Ai vlerësoi se hapësirat e reja të inauguruara këto ditë do të jenë një mbështetje e rëndësishme e cila do të ndikojë në ngritjen profesionale si për nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës. Nishiqi shtoi se me investimet e bëra do të ndikohet në ngritjen e shkathtësive të nxënësve të drejtimit të hotelerisë dhe turizmit dhe në përgatitjen e kuadrove shumë të nevojshme profesionale për këtë sektor. Në fund, Nishiqi ftoi të gjithë të interesuarit të vizitojnë “Ditët e dyerve të hapura” në shkollën“Ymer Prizreni“ të cilat do të mbahen nga sot deri më 2 qershor 2021.