mendo globalisht,
vepro lokalisht

Fëmijët dhe Presidentja pajtohen të punojnë së bashku në ngritje të vetëdijes për çështje që prekin ata

01.06.2021

Me rastin e shënimit të 1 Qershorit - Ditës së Fëmijëve, fëmijët e Grupit Monitorues të drejtave të fëmijëve “Respect Our Rights” u takuan me Presidenten e Republikës së Kosovës, Znj. Vjosa Osmani për të diskutuar gjendjen e respektimit të drejtave të fëmijës në Kosovë, sidomos në fushën e sigurisë, arsimit dhe mjedisit, fusha këto që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin dhe zhvillimin e mirëfilltë të fëmijëve në Republikën e Kosovës.

 

Në këtë takim, përfaqësuesit e fëmijëve paraqiten sfidat me të cilat ballafaqohen fëmijët në Kosovë dhe propozimet e tyre për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme. Në fushën e sigurisë, fëmijët tërhoqën vëmendjen për abuzimet dhe mungesën e sigurisë së tyre në ambiente shkollore dhe familjare, duke kërkuar nga Presidentja Osmani mbështetjen e saj institucionale për të gjetur një zgjidhje që respekton të drejtën e fëmijës për një ambient të sigurt ashtu siç është e përcaktuar në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve dhe me Ligjin për mbrojtje të fëmijës.

 

Grupi “Respect Our Rights” ngriti edhe çështjen e sfidave në mjedis dhe arsim, duke prezantuar fushatat vetëdijësuese për fëmijë dhe aktivitete në këto fusha si sesionet “Mendo për Tokën” dhe fushata “M’so n’shpi me të njëjtën cilësi” dhe të gjeturat e raportit “Si mësuam dhe sa mësuam gjatë pandemisë”, duke dhënë rekomandime lidhur me përmirësimin e situatës se arsimit nga distanca sidomos gjatë pandemisë së COVID-19.

 

Presidentja Osmani uroi fëmijët për Ditën e tyre duke dhënë zotime për përkrahjen e nismave në kuadër të vetëdijesimit të qytetarëve të Kosovës në fushën e arsimit, mjedisit dhe barazisë gjinore. Ndër të tjera, Presidentja Osmani i siguroi fëmijët se do të punojë në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Kuvendin për t’i çuar përpara proceset që janë në të mirë të fëmijëve ashtu që çdo fëmijë në Kosovë të gëzojë mbrojtjen institucionale dhe respektimin e të drejtave të tij.

 

Grupi ROR (Respect Our Rights) është grup i përbërë prej 24 fëmijëve nga komunat e ndryshme të Kosovës, të moshave 14-17 vjeç, nga të gjitha komunitetet, duke përfshirë edhe fëmijët me aftësi të kufizuara. Grupi monitorues i fëmijëve është themeluar nga organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” dhe “Save the Children” në kuadër të programit “Qeverisja me të drejtat e fëmijëve –Monitorimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve”.