mendo globalisht,
vepro lokalisht

Syri i Vizionit dhe Komuna e Klinës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

21.04.2022

Klinë, 21 prill - Në një ceremoni solemne të mbajtur sot, e enjte, është bërë nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të organizatës Syri i Vizionit (SiV) dhe Komunës së Klinës. Marrëveshja është nënshkruar nga drejtori i organizatës Veton Mujaj si dhe nënkryetarja e komunës së Klinës Marqe Tanushi Selmanaj.

 

Kjo marrëveshje është arritur në kuadër tëprogramit dyvjeçar “Fuqizimi dhe punësimi i të rinjve, grave dhe grupeve tjera në nevojë në pesë komuna të Kosovës” i mbështetur nga fondet e Bashkimit Evropian, i cili ka nisur të zbatohet nga SiV në partneritet me organizatën “The Balkan Forum” dhe Komunën e Istogut. 

 

Projekti synon të ofrojë masa shtesë aktive për tregun e punës, të tilla si sigurimi i mbështetjes për trajnime specifike, trajnime në vend të punës, ofrim të praktikës në punë dhe vetëpunësimin e grupeve të cenueshme në Kosovë, në mënyrë specifike në komunat Pejë, Istog, Deçan, Klinë e Junik. 

 

Në kuadër të këtij projekti Komuna e Klinës ka krijuar mundësi të kryerjes së punës praktike në institucionet publike komunale të saj për tre muaj me radhë për disa përfitues të programit. Projekti në fjalë po ashtu do të mbështesë zhvillimin e ndërmarrjeve të reja për të krijuar perspektivën e punësimit për grupet të cilat janë veçanërisht të rrezikuara në tregun e punës.