mendo globalisht,
vepro lokalisht

Mbi 50 aplikime për punë në Panairin e Punës në Pejë

18.05.2022

Pejë, 18 maj – Organizata “Syri i Vizionit” në partneritet me “The Balkan Forum” dhe Komunën e Istogut kanë mbajtur Panairin e Punës në Pejë, në kuadër të projektit “Fuqizimi dhe punësimi i të rinjve, grave dhe grupeve tjera të cenueshme në pesë komuna të Kosovës” i cili financohet nga Bashkimi Evropian.

 

Panairi për qëllim kishte të promovojë biznese të ndryshme të cilat ofrojnë mundësi punësimi për grupet e synuara dhe ndërlidhjene punëkërkuesve me punëdhënës në komunat Pejë, Istog, Klinë, Deçan e Junik. Një panair i ngjashëm do të mbahet të enjten, 19 maj, edhe në Istog.  

 Në këtë panair morën pjesë mbi 25 biznese prodhuese, fabrika, gastronomia, qendra tregtare, biznese individuale dhe organizata të ndryshme të cilat merren më sektorin e përgatitjes së kuadrove për punë dhe tregun e punës. Ato pranuan mbi 50 aplikime për punë nga vizitorët e panairit, pjesa me e madhe të rinj, por edhe gra e persona me aftësi të kufizuara.

 

Drejtoresha për Mirëqenie Sociale, Albulena Mujaj-Bajraktari tha: “Peja dhe gjitha komunat kanë nevojë për programe të tilla dhe panaire të cilat promovojnë mundësitë e punësimit për gratë, të rinjtë dhe grupet e tjera. Komuna e Pejës zotohet se vazhdimisht do të jetë krah mbështetës për programe të tilla siç është ky me Syrin e Vizionit”.

Në anën tjetër, Veton Mujaj, Drejtor Ekzekutiv i OJQ-së“Syri i Vizionit” ka thënë se përmes këtij panairi synohet ndërlidhja e punëdhënësve me punëkërkuesit sidomos nga grupet e margjinalizuara, gratë, të rinj, personat me aftësi të kufizuara dhe komunitetet pakicë që jetojnë në pesë komunat e rajonit të Pejës. Pos që ka falënderuar komunat për mbështetje, ai ka inkurajuar vizitorët nga shkollat e mesme që të shohin perspektivën e tyre në të ardhmen dhe që arsimimin e tyre të lartë ta orientojnë kah nevojat e tregut të punës.

 Shumë persona nga grupet e cenuara të cilët nuk kanë qenë të regjistruar në Zyrat e Punësimit apo nuk kanë pasur informata për rolin dhe rëndësinë që kanë këto Zyra tashmë janë regjistruar dhe përmes këtyre zyrave u është mundësuar vijimi i aftësimit profesional në Qendrat e Aftësimit Profesional, punë praktike, grante për biznese dhe grante për ndërmarrje sociale start-up,” ka thënë Mujaj.