mendo globalisht,
vepro lokalisht

Pejës i shtohet “Foleja e Zanave”, një biznes gastronomie i udhëhequr nga gratë

21.07.2022

Sektorit të gastronomisë në Pejë i është shtuar edhe një restorant me ushqime tradicionale i cili udhëhiqet nga gratë. I emëruar “Foleja e Zanave”, restoranti ofron ushqime të ndryshme të cilat përgatiten nga vetë gratë dhe vajzat e reja.

Hapja e këtij biznesi krijon mundësi të zhvillimit të kapaciteteve për bizneset e vogla dhe vende të reja të punës për komunitetet e pafavorizuara si të rinjtë, gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe ata nga grupet etnike pakicë.

“Falë përkrahjes nga Syri i Vizionit, bashkëpunëtorëve të kësaj organizate si dhe fondeve të BE-së, ideja dhe qëllimi im që ta hapë një biznes me ushqime tradicionale të cilat përgatiten nga vetë gratë, jo vetëm që do të ndikojë në vetëpunësim por edhe në fuqizimin ekonomik të grave, në veçanti për ato nga zonat rurale,” ka thënë Shemsije Seferi - pronare e këtij biznesi.

Ky restorant është hapur përmes komponentit të granteve për bizneset fillestare (start-ups), në kuadër të programit  “Fuqizimi dhe punësimi i të rinjve, grave dhe grupeve tjera në nevojë në pesë komuna të Kosovës”. I mbështetur nga fondet e Bashkimit Evropian, programi zbatohet nga Syri i Vizionit në partneritet me organizatën “The Balkan Forum” si dhe Komunën e Istogut, në komunat Pejë, Klinë, Deçan, Junik e Istog.