mendo globalisht,
vepro lokalisht

AKF në Pejë shënoi Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve

21.11.2022

Me moton “E drejta ime, obligim i juaj!”, Asambleja Komunale e Fëmijëve (AKF) në Pejë, mbështetur nga organizatat Syri i Vizionit dhe Save the Children kanë shënuar 20 Nëntorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. 

Në kuadër të kësaj Dite, është mbajtur një seancë e AKF-së ku është zgjedhur kryetari dhe kryesia e re. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Pejës, Rexhep Kurtbogaj dhe Drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Mujaj-Bajraktaraj, si dhe nga Policia Arbresha Tufaj e Qendrim Sheremeti. 

Ata u zotuan para fëmijëve se do të jenë mbështetësit dhe zëri i tyre në çdo kohë, duke i inkurajuar ata që të flasin dhe raportojnë çdo herë kur shkelen apo cenohen të drejtat e tyre dhe ato të bashkëmoshatarëve. 

 

Pas përfundimit të takimit të Asamblesë Komunale, fëmijët asamblistë realizuan një aktivitet simbolik në qendër të qytetit, ku u vendos instalacioni nga çadrat me moton “E drejta ime, obligim i juaj!”.

Me anë të kësaj fushate, fëmijët kanë kërkuar të rritet përgjegjësia e institucioneve dhe gjithë shoqërisë. Ata po ashtu kërkuan të bëhet më shumë duke ju siguruar kushte dhe mundësi në gëzimin e të drejtave të tyre dhe përmirësimin e pozitës në shoqërinë kosovare.

Pjesë e kësaj fushate ishin edhe fëmijët me aftësi të kufizuara nga organizatat lokale të cilat punojnë dhe ofrojnë shërbime për ta si organizatat - “Qendra për Jetë të Pavarur”, “Pema” dhe “Duart Plotë Mëshirë”.

Ky aktivitet  mbahet në kuadër të programit në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe qeverisjes me të drejtat e tyre “Detyrimi ynë për të Ardhmen - Mbrojtja e Fëmijëve dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës” i cili zbatohet nga organizata Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children, zyra në Kosovë, dhe financohet nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar.