mendo globalisht,
vepro lokalisht

Thirrje për shprehje të interesimit për trajner/e

18.07.2017

Termat e Referencës

Trajnime: “Shkrim të Projekteve dhe Zhvillim njohurive debatuese për fëmijët e grupit monitorues ROR” 


1. Hyrje:
Organizata Syri i Vizionit (SiV) është regjistruar zyrtarisht si OJQ lokale në shtator të vitit 2001, por ka filluar të funksionojë më herët që nga 1999 si Organizatë e Bazuar në Komunitet (CBO) në komunën e Pejës.
Përgjatë viteve të fundit, OJQ “Syri i Vizionit” ka zhvilluar partneritete të shumta me një spektër të gjerë të organizatave lokale dhe ndërkombëtare, komunave dhe faktorëve tjerë aktivë në Kosovë dhe Ballkan si: Komisioni Evropian, Save the Children në Kosovë, Olof Palme International Centre, Solidar Suisse, Volkshilfe Solidaritet, ADA, USAID, KEC, KFOS, DRC, CARE International, OSCE, etj.

2. Informata të Përgjithshme:
Syri i Vizionit, në partneritet me Save the Children zyra në Kosovë, tash e pesë vite është duke punuar në programe mbi monitorimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, që kanë për qëllim respektimin e Konventës ndërkombëtare për të drejtat e fëmijës, në kuadër të të cilave ka zhvilluar projekte për të fuqizuar mekanizmat e parandalimit të dhunës,  ndëshkimit trupor dhe raportimit të rasteve të dhunës në shkollat e komunave Pejë, Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Gjilan dhe Gjakovë.
Në kuadër të programit tematik në fushën e mbrojtjes dhe qeverisjes me të drejtat e fëmijës “Detyrimi ynë për të Ardhmen - Mbrojtja e Fëmijës dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës”, rëndësi e veçantë është mbrojtja e fëmijëve nga dhuna, dhe qeverisja me të drejtat e tyre.
Pjesë e rëndësishme e programit të qeverisjes më të drejtat e fëmijës është ngritja e kapaciteteve profesionale të fëmijëve, anëtarë të grupit Respect our Rights (ROR), në monitorimin e zbatimit të të drejtave të fëmijëve në Kosovë, bazuar në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës. Zhvillimin e tyre profesional në shkrimin e projekteve që për synim kanë përmirësimin e pozitës së të drejtave të fëmijëve dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje nga vetë ata dhe në zgjerimin e njohurive debatuese me akterët tjerë që janë përgjegjës për zbatimin e të drejtave të fëmijëve.
Për të arritur këtë synim Syri i Vizionit kërkon të angazhojë një trajner/profesionist (ekspert në fushën përkatëse) për ofrimin e trajnimeve një-ditore  në  shkrimin e projekteve dhe zhvillimin e njohurive debatuese.
 
2.1. Objektiva:
Ngritja e kapacitevete profesionale në “Shkrim të Projekteve dhe Zhvillim njohurive debatuese” të grupit monitorues të fëmijëve Respect our Rights (ROR).

2.2. Qëllimi i Trajnimit:
Ky trajnim organizohet posaçërisht për grupin e fëmijëve Respect our Rights (ROR), të grupmoshës  14 – 18 vjeç.
Qëllimi i trajnimit është ngritja e kapaciteteve individuale, grupore e profesionale të anëtarëve të këtij grupi –të dizajnojnë projekte apo publikime që kanë të bëjnë me  hulumtimet e tyre në fushën e të drejtave të fëmijëve, dhe të dinë se si të argumentojnë të gjeturat dhe rekomandimet e tyre kur të prezantojnë tek akteret përgjegjës dhe të arrijnë të debatojnë duke siguruar përmirësimin e situatës së fëmijëve  në Kosovë.

3. Kontraktimi i trajnerit:
Trajneri i përzgjedhur do të angazhohet me anë të një marrëveshje për ofrimin e shërbimit nga Syri i Vizionit, nën koordinimin e Menaxherit Tematik për Mbrojtjen e Fëmijës dhe Menaxherit Tematik për Qeverisjen me të Drejtat e Fëmijës, si dhe me përkrahje nga stafi i Syrit të Vizionit.

Trajneri i angazhuar pritet qe t’i ketë këto kualifikime:
- Diplomë universitare -Bachelor ose Master 
- Përvojë të punës  më fëmijë në fushat e lartcekura (trajnime, ligjërata, punëtori etj)
- Certifikatë të trajnimeve të fushës përkatëse apo fushave të ngjashme

3.1. Detyrat dhe Përgjegjësitë:
Trajneri i angazhuar gjatë këtij trajnimi pritet që të:
Përgatisë materialet e nevojshme dhe të kuptueshme për fëmijë të grupmoshës  14 – 18 vjeç për trajnim në shkrimin e projekteve dhe zhvillim të njohurive ne debatim dhe agjendën, në pajtueshmëri dhe konsultim paraprak me stafin përgjegjës të SiV-it  dhe Save the Children;
- Ofroj trajnimin në mënyrë ku prioritet është   përfshirja e fëmijëve dhe interesi i tyre me i lartë, duke sqaruar dhe shtjelluar tematikën dhe termet përkatëse në gjuhë të kuptueshme për fëmijët;
- Organizon diskutime përmes shembujve praktik dhe të kuptueshëm për fëmijë duke punuar edhe në grupe;
- Ndan pyetësorin vlerësues mbi njohuritë e fëmijëve mbi tematikën e trajnimit para dhe pasi të ketë përfunduar trajnimi (pyetësori zhvillohet në bashkëpunim me SiV dhe Save the Children);
- Harton dhe dorëzon një raport përfundimtar mbi trajnimet, duke përfshirë njohuritë që kanë pjesëmarrësit, çështjet kryesore të dala gjatë trajnimit dhe punës në  grupe, si dhe analizimin e të gjeturave nga rezultatet e para-dhe pas-testit dhe rekomandimet.

3.2. Angazhimi i Trajnerit:
Angazhimi do të bëhet në bazë ditore, duke përfshirë aktivitetet e mëposhtme:
Detyrat    Kohëzgjatja
Përgatitja e të gjitha materialeve, përfshirë  agjendën e trajnimit dhe pyetësorëve për matjen e njohurive të pjesëmarrësve para dhe pas trajnimit - 1 ditë
Ofrimi i trajnimit - 2 ditë
Përgatitja dhe dorëzimi i raportit përfundimtar për angazhimin - 1 ditë
Gjithsej: 4 ditë

3.3. Kushtet e Pagesës:
- Pagesa e trajnuesit do të bëhet sipas faturës përkatëse për kryerjen e shërbimeve;
- Pagesa do të realizohet përmes një transaksioni bankar në valutën Euro (€) pas përfundimit të suksesshëm të trajnimit, respektivisht pas dërgimit të raportit përfundimtar me shkrim dhe aprovimit të tij nga Syri i Vizionit.

3.4. Pagesa e Trajnerit do të kompensojë punën e kryer në:
- Angazhimin në organizim të trajnimit (duke përfshirë të gjitha detajet e nevojshme);
- Punën para-përgatitore dhe përpilimin e materialeve të nevojshme për trajnim;
- Angazhimin në shkrimin e raportit përfundimtar.
Shënim: Në bazë të ligjit të Kosovës, Syri i Vizionit është i obliguar që të paguajë tatimin (Taksa dhe Pension) prej 10% të shumës bruto.

Raportimi:
Si pjesë themelore e angazhimit të trajnuesit parashihet edhe pjesa e raportimit. Pagesa për angazhim kryhet pas pranimit të kënaqshëm të raportit, dërguar nga ana e trajnerit. Parashihet që si pjesë e raportit të jetë edhe analizimi i rezultateve të gjeneruara nga pyetësorët për vlerësimin e njohurive të fituara nga trajnimi, duke krahasuar rezultatet e pyetësorëve para trajnimit me rezultatet e pyetësorëve pas trajnimit.
Dërgimi i raportit me shkrim nga ana e trajnerit është obligativ pas përfundimit të trajnimit, brenda afatit një javor.

4. Procesi i Aplikimit:
Të interesuarit duhet të dërgojnë dokumentet e përmendura më poshtë në këtë e-mail: [email protected].
- Diplomë universitare
- Certifikatë të trajnimeve të fushës përkatëse apo fushave të ngjashme
- Metodologjinë e trajnimit

Afati i fundit për aplikim është data: 30 Korrik 2017, ora 16:00.
Vetëm kandidati/ja i/e suksesshëm/e do të kontaktohet.

5. Personat Përgjegjës në Syri i Vizionit:
Naser Lajqi – Menaxher i programit
Teuta Uka - Menaxhere e tematikës “Qeverisje me të Drejtat e Fëmijëve”
OJQ “Syri i Vizionit”
Rr.Isa Demaj. Nr.14-30 000 Pejë

Tel.  +381 (0) 39 423 240
 E-mail: [email protected]
E-mail: [email protected]
E-mail: [email protected]
Web faqe: www.syriivizionit.org