23.05.2019
Termat e Referencës
Trajnim: “Trajtimi dhe ofrimi i shërbimeve për fëmijët që janë lëmoshë-kërkues, dhe që punojnë apo detyrohen të punojnë punë të rënda” dhe “Ofrimi i shërbimeve për fëmijët dhe të miturit të cilët janë viktima të abuzimit me apo përdorues të substancave narkotike”
Hyrje
Organizata Syri i Vizionit (SiV) është regjistruar zyrtarisht si OJQ lokale në Shtator të vitit 2001, por ka filluar të funksionojë më herët që nga 1999 si Organizatë e Bazuar në Komunitet (CBO) në komunën e Pejës.
Përgjatë viteve të fundit, OJQ “Syri i Vizionit” ka zhvilluar partneritete të shumta me një spektër të gjerë të organizatave lokale dhe ndërkombëtare, komunave dhe faktorëve tjerë aktivë në Kosovë dhe Ballkan si: Komisioni Evropian, Save the Children në Kosovë, Olof Palme International Centre, Solidar Suisse, Volkshilfe Solidaritet, ADA, USAID, KEC, KFOS, DRC, CARE International, OSCE, etj.
Informata të përgjithshme
Syri i Vizionit (SiV) në partneritet me Save the Children Zyra në Kosovë (SCiK), tash e disa vite janë angazhuar në monitorimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, bazuar në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës. Në kuadër të këtij partneriteti, SiV dhe SCiK kanë zhvilluar projekte për të fuqizuar mekanizmat e parandalimit të dhunës, ndëshkimit trupor dhe raportimit të rasteve të dhunës në shkolla. Në kuadër të programit të mbrojtjes së fëmijës “Detyrimi ynë për të Ardhmen - Mbrojtja e Fëmijës dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës”, është duke u punuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale të institucioneve që për mandat kanë mbrojtjen e fëmijëve dhe ofrimin e shërbimeve sa më profesionale dhe me kohë.
Objektiva
Syri i Vizionit kërkon të angazhojë një trajner-profesionist me përvojë (së paku 5 vjeçare) në ngritjen e kapaciteteve për ofrimin e shërbimeve sociale për fëmijë, për trajnimin e profesionistëve të punës sociale në këto dy tema:
1. Trajtimi dhe ofrimi i shërbimeve për fëmijët që janë lëmoshë-kërkues, dhe që punojnë apo detyrohen të punojnë punë të rënda, dhe
2. Ofrimi i shërbimeve për fëmijët dhe të mitur të cilët janë viktima të abuzimit me apo përdorues të substancave narkotike.
Trajnimet kanë për qëllim të ngrisin kapacitetet e zyrtarëve të Qendrave për Punë Sociale (QPS), me qëllim të ofrimit të shërbimeve sociale sa më profesionale dhe me kohë për fëmijë dhe familje, për të identifikuar, parandaluar, trajtuar dhe reaguar ndaj rasteve të dhunës ndaj fëmijëve dhe në menaxhimin e këtyre rasteve sipas procedurave ligjore duke mbrojtur interesin më të lartë të fëmijës.
Përfitues të trajnimit do të jenë zyrtarët përkatës nga 5 komuna (Pejë, Klinë, Gjakovë, Prizren dhe Gjilan) në të cilat Syri i Vizionit dhe Save the Children janë duke zbatuar Programin e Mbrojtjes së Fëmijës dhe Qeverisjes së të Drejtave të Fëmijës.
Kualifikimi i nevojshëm:
• Diplomë universitare në Psikologji, Shkenca Sociale apo Punë Sociale, apo fusha të tjera relevante të shkencave sociale (kualifikimi Master dhe edukimi profesional/joformal në këtë fushë është përparësi);
• Përvojë e punës së paku pesë (5) vjeçare në ofrimin e trajnimeve dhe realizimit të tyre që kanë të bëjnë me fushën e mbrojtjes së fëmijëve, specifikisht me problematikën e punëve të rënda dhe abuzimit me substaca narkotike nga ana e të miturve;
• Njohuri për standardet minimale të punës sociale në Kosovë dhe parimet e të drejtave të fëmijëve të bazuara në Konventen Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve;
• Aftësi të larta ndërpersonale;
• Shkathtësi të larta analitike.
Detyrat dhe Përgjegjësitë:
Nga trajneri/ja i/e angazhuar pritet të:
• Zhvillojë modulin e trajnimit në konsultim me stafin përgjegjës të SiV-it dhe Save the Children për rishikim dhe aprovim paraprak;
• Përgatisë materialet e nevojshme shtesë për trajnim për secilin modul të trajnimit, agjendën për trajnim, si dhe pyetësorët para dhe pas trajnimit, në konsultim me stafin përgjegjës të SiV-it dhe Save the Children për rishikim dhe aprovim paraprak;
• Udhëheqë trajnimin me profesionalizëm, sqarojë dhe shtjellojë tematikën dhe termet përkatëse të Procedurave të regjistrimit të mëvonshëm të fëmijëve si dhe Identifikimin dhe përcaktimin e llojeve të dhunës, përfshirë dhunën psikologjike dhe emocionale;
• Dorëzojë draft raportin narrativ të angazhimit, përfshirë objektivat, realizimin e punës, dhe të dalurat nga pyetësorët, jo më vonë se pesë (5) ditë pune pas mbajtjes së trajnimit;
• Dorëzojë raportin narrativ final tek SiV jo më vonë se pesë (5) ditë pune pasi të ketë pranuar komentet e mundshme nga SiV dhe SCiK.
Angazhimi i Trajnerit/es:
Trajneri/ja do të angazhohet me anë të një kontrate për shërbim me “Syri i Vizionit” nën koordinimin e Menaxherit të Financave dhe Administratës. Në këtë kontratë do të përcaktohen në mënyrë specifike pikat të cilat nuk janë të përfshira në këtë dokument.
Detyrat dhe kohëzgjatja:
Përgatitja e metodologjisë së punës për trajnim (Moduli/metodologjia, agjenda, pyetësoret para dhe pas trajnimit dhe materialet tjera të nevojshme) - 1 ditë
Mbajtja e trajnimit dy ditor me zyrtarët e QPS-ve nga pesë komuna (Pejë, Prizren, Klinë, Gjakovë dhe Gjilan) - 2 ditë
Përgatitja dhe dorëzimi i raportit narrativ - 1 ditë
Gjithsej: 4 ditë
Kushtet e Pagesës:
Pagesa e trajnerit/es do të bëhet sipas faturës përkatëse për kryerjen e shërbimeve, që do të lëshohet nga trajneri, ose do të përgatitet nga SiV e do nënshkruhet nga Trajneri/ja. Pagesa do të realizohet përmes transaksionit bankar në valutën Euro. Pagesa do të bëhet pas përfundimit me sukses të të modulit të trajnimeve dhe dorëzimit të raportit narrativ të aprovuar nga SiV.
Në bazë të ligjit të Kosovës, Syri i Vizionit është po ashtu i obliguar që të paguajë tatimin (taksa dhe pension) prej 10% të shumës bruto. Shpenzimet e ushqimit do t’i mbulojë organizatori.
Dokumentet e kërkuara dhe procedura për aplikim:
• Kopja e Diplomës Universitare (ndonjë Certifikatë e Licencimit nga institucioni përgjegjës konsiderohet përparësi);
• Përshkrimi i metodologjisë së punës, duke përfshirë planifikimin e procesit të zhvillimit të materialeve për trajnim dhe mbajtjen e trajnimeve, para dhe pas pyetësorët;
• Një letër motivuese ku përfshihet përvoja e punës dhe ekspertiza qe ai/ajo mund të ofrojë në fushën e trajnimeve “Trajtimi dhe ofrimi i shërbimeve për fëmijët që janë lëmoshë-kërkues, dhe që punojnë apo detyrohen të punojnë punë të rënda”, dhe “Ofrimi i shërbimeve për fëmijë dhe të mitur të cilët janë viktima të abuzimit apo përdorues te substancave narkotike”, apo dokumenteve të ngjashme e qe kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijeve apo të ngjashme;
• Një plan tentativ i punës;
• Curriculum Vitae (CV)
• Propozimi financiar*
*Oferta financiare duhet të jetë e detajizuar për secilën punë që do të realizohet, duke përfshirë, zhvillimin e modulit dhe materialet e trajnimit, mbajtjen e trajnimeve dhe shkrimin e raportit.
Aplikacionet duhet të dorëzohen në gjuhën lokale, në formë elektronike në e-mail adresën: info@syriivizionit.org ose naser.lajqi@syriivizionit.org me subjektin Aplikacioni për Mbajtjen e trajnimit me zyrtarët e QPS-ve. Apo edhe përmes postës në adresën e organizatës OJQ: “Syri i Vizionit”, Rr. Isa Demaj, nr. 14, 30000 Pejë, Kosovë. Afati i fundit për dorëzimin e aplikacionit është 10 Qershor 2019, ora 16:00.
Vetëm kandidatët e suksesshëm do të kontaktohen!