Projektet në vitin 2000
Revista:
Me përgatitjet që ishin bërë gjatë vitit 1999, grupi i të rinjve të Pejës, gjatë vitit 2000 filloi publikimin e revistës “Vizioni”. Numri i parë doli në muajin tetor të këtij viti. Në realizimin e tij numri kishin punuar një grup prej rreth 20 personash. Ekipi nismëtar i organizatës në këtë periudhë kishte krijuar kontaktet me disa bashkëpunëtorë dhe disa donatorë, të cilët kishin besim në vullnetin e këtyre të rinjve. Numri i dytë doli me moton e njohur “Mendo globalisht, vepro lokalisht” që u bë shenjë identifikimi për organizatën dhe që sot është pjesë e llogos së organizatës. “Le të punojmë së bashku” ishte një tjetër thirrje e këtij numri, që poashtu e karakterizon aktivitetin e organizatës.
Tematika:
Gjatë vitit 2000 u botuan tre numra të revistës, në një numër secilin muaj. Përmbajtja kishte filluar të zgjerohej dhe përveç tematikave rinore, kishte filluar të artikulohen kërkesat e angazhimit qytetar dhe avokimit. Përmes revistës kishin filluar të adresohen problemet e para të shoqërisë dhe të kërkohet zgjidhja e tyre. Revista kishte destinim rininë, por merrej edhe me çështja tjera jashtë këtij grupi. Numri i parë dhe dytë u shpërndanë falas në qytetin e Pejës, kurse numri i tretë u zgjerua në 36 faqe dhe u shpërnda në të gjitha komunat e Rrafshit të Dukagjinit, duke shtrirë aktivitetin dhe ndikimin jashtë komunës së Pejës edhe në komunat tjera Gjakovë, Deçan, Klinë dhe Istog. Puna e këtyre muajve kishte ofruar rreth grupit edhe mjaft qytetarë, që kishin shprehur simpatinë për punën që po bëhej. Ata ndihmuar në profesionalizimin dhe fuqizimin e mëtejmë të grupit.
Donatorët:
Që në numrin e parë gazeta ishte gjetur një përkrahës të rëndësishëm, USAID-in amerikan, që më pas do bëhet një nga partnerët e rëndësishëm të organizatës deri në ditët e sotme. USAID, që në Kosovë vepronte që para luftës, ndihmoi shtypjen e revistës në kuadër të programit Iniciativa Transitore e Kosovës (KTI), që po ndihmonte ngritjen e një shoqërie demokratike në të gjitha sektorët, përfshirë përkrahjen për komunitetin (përfshirë këtu edhe infrastrukturën, shkollat, etj.) por edhe për forcimin e shoqërisë civile. Në numrat e parë USAID ndihmoi me shpenzimet e shtypjes dhe një pjesë të mjeteve të punës.
Pajisjet:
Një ndihmë e mirëseardhur në fillimet e revistës erdhi nga organizata italiane CISP (Comitato Internacionale per lo Sviloppo dei Popoli). Kjo organizatë që pas dy vjetëve po përfundonte misionin e saj në Kosovë, ku kishte ndihmuar pas luftë popullatën dhe rimëkëmbjen e Kosovës, para largimit i ka dhuruar revistës rinore “Vizioni” pajisjet dhe inventarin e saj. Me laptopin dhe mjetet tjera të dhuruara nga CISP, janë përgatitur numrat tjerë në vazhdim të revistës. Në fillim të vitit 2001, pikërisht në atë zyre që po e lëshonte CISP në Qendër Zejtare, u vendos organizata, e aty ndodhet dhe tani.
Zyra:
Për nevojat e punës në këtë vit, për herë të parë organizata u bë me zyre. Fillimisht zyra e parë ku u përgatit revista dhe planet për punë, ishit në hapësirë brenda qendrës rinore që në atë kohë mbahej nga organizata amerikane ISC-së, në objektin ku sot ndodhet Qendra rinore “Zoom”. Në një orar të caktuar pajisjet e Qendrës rinore u shfrytëzuan nga “Vizioni”. Në këtë qendër atë kohë mbaheshin shumë kurse për të rinjtë, mes të cilëve edhe kursi i gazetarisë. Kursantët e parë që e kryen këtë kurs, më pas u përfshinë në stafin e gazetës. Në këtë periudhë u bë edhe qartësimi idesë për krijimin dhe regjistrimin e organizatës si subjekt joqeveritar me një program dhe ide të qartë.