misli globalno,
deluj lokalno

Konferencë për komunitete gjithëpërfshirëse, ndërbrezore dhe miqësore për të moshuarit në Pejë e Istog

Pejë, 11 nëntor 2025 – U mbajt konferenca përmbyllëse e projektit AGE+ “Ndërtimi i Komuniteteve Përfshirëse, Ndërgjeneracionale dhe Miqësore për të Moshuarit në Pejë dhe Istog”, e organizuar nga Syri i Vizionit në partneritet me Volkshilfe Solidarität, me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA).

Takimi mblodhi përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, organizata partnere, shoqata pensionistësh dhe anëtarë të këshillave lokalë për moshën e tretë nga Peja dhe Istogu, me synim prezantimin e rezultateve dhe diskutimin e mënyrave për përfshirje aktive të të moshuarve në jetën shoqërore dhe forcim të lidhjeve ndërbrezore.

Në fjalën hyrëse, Qenan Bardhaj (Syri i Vizionit) theksoi domosdoshmërinë e vijueshmërisë së punës për komunitete gjithëpërfshirëse e mbështetëse për të gjitha moshat. Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, përgëzoi programin AGE+ dhe njoftoi se së shpejti do të hapen qendra të solidaritetit për moshën e tretë, përfshirë një në lagjen Sahat Kulla.

Katharina Pliskal, Menaxhere e Programit për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Volkshilfe Solidarität, prezantoi gjetjet e vlerësimit për Kosovën dhe Serbinë, duke nënvizuar nevojën për pjesëmarrje të plotë të të moshuarve në jetën publike dhe përforcimin e politikave sociale mbështetëse.

Më pas, një panel diskutoi politikat e plakjes, përfshirjen gjinore dhe perspektivat komunitare, me fokus te roli i institucioneve dhe shoqërisë civile në përmirësimin e kushteve të jetesës për moshën e tretë. Belrim Shabani (Ministria e Drejtësisë – Departamenti për Politika të Shërbimeve Sociale dhe Familjare) foli për krijimin e shtëpive komunitare për aktivitete ditore e rezidenciale dhe për udhëzimet mbi punën vullnetare që u mundësojnë të moshuarve të kontribuojnë sipas përvojës së tyre.

Në emër të Shoqatës së Grave Pensioniste, Sanije Rugova vlerësoi ndikimin e programit AGE+, i cili ka rritur pjesëmarrjen dhe rolin publik të grave të moshuara. Përfaqësues të shoqërisë civile, mes tyre Najqe Kelmen dhe Fitore Haxhihasani, kërkuan mbështetje më të madhe institucionale dhe financiare për shërbimet ndaj të moshuarve dhe ruajtjen e dinjitetit të tyre.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Istogut, Enver Rugova, vlerësoi punën e Syrit të Vizionit dhe të Shoqatës së Pensionistëve, duke premtuar integrimin e nevojave të moshës së tretë në rregulloret komunale dhe krijimin e një kodi të veçantë buxhetor.

Kryetari i Shoqatës Komunale të Pensionistëve në Pejë, Vehbi Shala, falënderoi organizatorët dhe donatorët, duke kërkuar zgjerimin e qendrave edhe në zonat rurale dhe lagje të tjera.

Merita Halitaj Beqiri, Drejtoreshë e Kopshtit “Pllumbat e Paqes”, evidentoi ndikimin pozitiv të aktiviteteve ndërgjeneracionale, që kanë afruar fëmijët me gjyshërit dhe kanë ndërtuar ura të reja mirëkuptimi.

Në përmbyllje, Naser Lajqi dhe Rinora Gashi paraqitën arritjet kryesore të programit në Pejë dhe Istog: mekanizmat e krijuar, politikat dhe planet e punës, si dhe aktivitetet e zhvilluara në tri Qendrat e Solidaritetit Ndërgjeneracional dhe në Qendrën për Personat pa Përkujdesje Familjare në Gurrakoc të Istogut.

Konferenca u mbyll me rekomandime që do të udhëheqin vijueshmërinë e programit në vitet në vazhdim.