Pejë – Të premten, më 12 dhjetor, në komunën e Pejës, Organizata Syri i Vizionit organizoi takimin e tretë ndërkomunal me fokus në shkëmbimin e përvojave lidhur me funksionimin dhe zhvillimin e Qendrave të Komunitetit për Moshën e Tretë. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Drejtorive për Mirëqenie Sociale dhe Shëndetësi nga komunat e Pejës, Istogut dhe Gjakovës, si dhe përfaqësues të Qendrave për Punë Sociale nga këto komuna. Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues të shoqatave të pensionistëve nga Peja dhe Istogu, përfaqësues të kopshteve publike, si dhe përfaqësues nga Qendra e Komunitetit për persona të moshuar pa përkujdes familjar në Gurrakoc. Qëllimi i takimit ishte prezantimi i të arriturave të projektit, shkëmbimi i praktikave të mira në komunat ku projekti zbatohet, si dhe ndarja e përvojave dhe njohurive nga komunat e tjera. Takimi synoi gjithashtu forcimin e partneritetit ndërkomunal për të nxitur vazhdimin e bashkëpunimit dhe përhapjen e praktikave të mira në mbështetje të moshës së tretë edhe në komuna të tjera.
Gjatë diskutimeve, zyrtarët e komunave të Pejës dhe Istogut prezantuan përvojat pozitive dhe rezultatet e arritura përmes funksionimit të qendrave për moshën e tretë, duke theksuar rolin e rëndësishëm të tyre në rritjen e përfshirjes sociale dhe përmirësimin e mirëqenies së të moshuarve. Ata shprehën angazhimin për zgjerimin e rrjetit të këtyre qendrave në komunat përkatëse, si dhe gatishmërinë për të mbështetur edhe komunat e tjera që synojnë themelimin e strukturave të ngjashme. Në kuadër të takimit u shkëmbyen gjithashtu përvoja të fituara gjatë vizitave studimore në Austri, Slloveni dhe Novi Sad, me fokus në praktikat e mira dhe modelet e suksesshme të përkujdesit për moshën e tretë. Ky aktivitet u realizua në kuadër të programit “Ndërtimi i komuniteteve miqësore për të moshuarit nëpërmjet veprimit ndërbrezor në Kosovë – AGE + project , i cili financohet nga Volkshilfe Österreich dhe Austrian Development Agency për Zhvillim (ADA), dhe zbatohet nga organizata Syri i Vizionit.
