mendo globalisht,
vepro lokalisht

“ÇDO DITË ËSHTË 1 QERSHORI, TË FLASIM SË BASHKU!”

02.06.2023

Pejë, 2 qershor - Me rastin  e shënimit të 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve - organizatat Syri i Vizionit dhe Save the Children në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të enjten realizuan një takim miqësor me fëmijë me moton “Çdo ditë është 1 Qershori, të flasim së bashku”. Në këtë ngjarje i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës z. Albin Kurti, Ministrja e Arsimit znj. Arberie Nagavci si dhe përfaqësues nga Zyra për Qeverisje të Mirë.


Në këtë takim përfaqësuesit e fëmijëve nga Grupi RespectOur Rights (ROR), Asambletë Komunale të Fëmijëve, Përfaqësues të Këshillit të Nxënësve dhe Grupit të fëmijëve me aftësi të kufizuar “Zëri Ynë”, kërkuan nga Kryeministri Kurti dhe Ministrja Nagavci të bëjnë më shumë për rritjen e cilësisë në arsim, përmirësimin e kushteve të jetesës në Kosovë për ta duke ofruar shërbimemë të mira e cilësore. Ata po ashtu kërkuan angazhim e tyre në mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike si dhe fonde të duhura për shkolla që të ketëmë shumë aktivitete rekreative si dhe bursa për fëmijë me gjendje të rëndë ekonomike dhe me aftësi të kufizuar të cilët dëshirojnë të vijojnë shkollimin tutje, veç atij të detyrueshëm.

 Kryeministri Kurti dhe Ministrja Nagavci u premtuan që kërkesate tyre do të jenë shtytës për ta në planifikimin dhe zhvillimin e politikave shtetërore. Të dy premtuan se do të angazhohen qe këto takime miqësore me fëmijët të jenë me të shpeshta, sepse zotimi i kësaj qeverie është të punojnë dhe qeverisin në të mirën e të gjithë fëmijëve të Kosovës.

Në kuadër të 1 Qershorit është mbajtur edhe një takim i fëmijëve me përfaqësues të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione. Me këtë rast, fëmijët kërkuan prej tyre që të bëjnë me shumë presion ndaj qeverisë në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, të hartojnë ligje të cilat prekin cilësinë në arsim dhe gjithëpërfshirje si dhe fushën  e mjedisit dhe ndryshimet klimatike. Kryetarja e këtij Komisioni, znj. Duda Balje, u zotua se kërkesat e fëmijëve do të trajtohen me prioritet dhe do të kërkohet përgjegjësi prej dikastereve përkatëse të qeverisë se çfarë është bërë lidhur me shqetësimet që fëmijët kanë adresuar. 

Aktivitetet për shënimin e 1 Qershorit, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve - Syri i Vizionit dhe Save the Children – i kanë zhvilluar edhe nëpër të gjitha komunat më të mëdha të Kosovës. Përmes Asambleve Komunale të Fëmijëve në këto komuna janë zhvilluar aktivitete të ndryshme si takime e debate publike me kryetarët e komunave dhe drejtoritë përkatëse, aktiviteteve kulturore e argëtuese në sheshet  e qyteteve. Në këto aktivitete, fëmijët përçuan mesazhe të ndryshme si “Duart e vogla mbajnë shpresa të mëdha”, “Të flasim së bashku”, ”Çdo ditë është 1 Qershori”. Me këtë rast, fëmijët kërkuan që komunat dhe vetë kryetarët si dhe Ekipet për tëDrejtat e Fëmijës në komunë të bëjnë më shumë për ta duke u krijuar kushte më të mira në shkolla, siguri më të madhe në qytete dhe hapësira sportive e rekreative. Kryetarët dhe drejtorët e drejtorive përkatëse, të cilët njëkohësisht janë anëtarë të Ekipeve për të Drejtat e Fëmijës në Komunë, u zotuan se punojnë dhe do të bëjnë akoma më shumë për ta, duke theksuar se fëmijët janë e tashmja dhe e ardhmja e vendit për të cilët ata si udhëheqës të institucioneve e kanë obligim të bëjnë shumë më shumë. 

 

E gjithë fushata e realizuar me rastin e 1 Qershorit nga përfaqësuesite fëmijëve në nivel nacional e lokal si grupi Respect Our Rights (ROR), Zëri i Fëmijëve, tetë Asambletë Komunale të Fëmijëve, për qëllim kishin rritjen e përgjegjësisë institucionale dhe ndërgjegjësimin e të rriturve se duhet të bëjnë më tepër për fëmijët dhe me fëmijët duke iu krijuar atyre një jetë dhe mirëqenie më të mirë dhe ambiente të rehatshme dhe të sigurta kudo, në mënyrë që edhe fëmijët e Kosovës të jenë dhe të ndihen të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në shtetet tjera. 

Kjo Ditë është shënuar në kuadër të programit tematik në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe qeverisjes me të drejtat e fëmijëve “Detyrimi ynë për të Ardhmen - Mbrojtja e Fëmijëve dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës” i cili zbatohet nga organizata Syri i Vizionit, në partneritet me Save the Children në Kosovë në komunat Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Klinës, Ferizaj, Gjilan, Klinë dhe Mitrovicë.