Think Globally,
Act Locally

Ftohen gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët/e e tyre të aplikojnë për trajnime, mentorim, zhvillim të agrobiznesit dhe shërbime mbështetëse gjithëpërfshirëse

Syri i Vizionit fton gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët/e e personave me aftësi të kufizuara nga komunat e Pejës, Istogut, Klinës, Gjakovës, Deçanit, Junikut dhe Rahovecit të aplikojnë për t’u bërë pjesë e projektit:

“Seeds of Inclusion in Kosovo: Bujqësi e Qëndrueshme, Punësim dhe Shërbime të Përmirësuara të Kujdesit për Gratë dhe Personat me Aftësi të Kufizuara”

Projekti financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), në kuadër të International Partnerships Austria, bashkëfinancohet nga Diakonie ACT Austria / Brot für die Welt dhe zbatohet nga Syri i Vizionit në partneritet me Brot für die Welt.

Projekti synon të përmirësojë mundësitë për punësim, vetëpunësim dhe zhvillim të agrobiznesit për gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët/e e tyre në zonat rurale. Njëkohësisht, ai promovon bujqësinë e qëndrueshme, praktikat bujqësore të përshtatura ndaj ndryshimeve klimatike, fuqizimin ekonomik dhe përfshirjen sociale të grupeve të margjinalizuara.

Çfarë ofron projekti?

Pjesëmarrësit e përzgjedhur do të kenë mundësi të marrin pjesë në:

  • Trajnime për bujqësi të qëndrueshme dhe praktika bujqësore të përshtatura ndaj ndryshimeve klimatike.
  • Trajnime për menaxhim të fermës dhe agrobiznesit.
  • Trajnime për zhvillimin e ideve të biznesit, përgatitjen e planit të biznesit, qasjen në treg dhe marketingun.
  • Sesione informuese për ujitje të qëndrueshme, menaxhim të ujit dhe sigurim bujqësor.
  • Mentorim individual nga ekspertë të bujqësisë dhe zhvillimit të biznesit.
  • Vizita studimore në ferma ose agrobiznese të suksesshme dhe shkëmbim të përvojave mes pjesëmarrësve.
  • Mbështetje për zhvillimin e ideve të biznesit dhe përgatitjen e planeve të biznesit.
  • Mundësi për të aplikuar për grant fillestar ose grant për zgjerimin e biznesit familjar në bujqësi.

Në kuadër të projektit, 50 pjesëmarrës të rinj do të mbështeten për zhvillimin e planeve të biznesit, ndërsa 30 ide biznesi do të përzgjidhen për mbështetje me grant. Përzgjedhja për grant do të zhvillohet përmes një procedure të veçantë dhe konkurruese, pasi pjesëmarrësit të kenë përfunduar trajnimet përkatëse dhe të kenë përgatitur planet e tyre të biznesit. Katër nga 30 grantet janë të rezervuara për pjesëtarë të komuniteteve jo shumicë.

Shërbime për personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët/e e tyre

Projekti do të mbështesë gjithashtu përmirësimin e qasjes në shërbime gjithëpërfshirëse për personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët/e e tyre. Në bashkëpunim me organizata lokale që ofrojnë shërbime për personat me aftësi të kufizuara, projekti synon të mundësojë aktivitete dhe shërbime të përshtatura me nevojat e përfituesve.

Këto shërbime mund të përfshijnë:

  • Shërbime të kujdesit gjatë ditës dhe mbështetjeje, sipas nevojave të identifikuara dhe mundësive të projektit.
  • Mbështetje psikosociale individuale dhe në grup për personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët/e e tyre.
  • Aktivitete rekreative dhe kreative gjithëpërfshirëse që promovojnë mirëqenien, zhvillimin dhe pjesëmarrjen sociale.
  • Aktivitete që ndihmojnë në uljen e barrës së kujdesit për anëtarët e familjes dhe krijojnë më shumë mundësi që kujdestarët/e të marrin pjesë në trajnime, punësim, vetëpunësim ose aktivitete të tjera sociale.

Shërbimet do të zbatohen në bashkëpunim me organizata lokale të përzgjedhura dhe do të ofrohen në përputhje me vlerësimin e nevojave, kapacitetet e ofruesve të shërbimeve dhe burimet në dispozicion të projektit. Personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët/e e tyre inkurajohen të aplikojnë edhe nëse nuk janë të interesuar për grant bujqësor, por dëshirojnë të marrin informata ose të përfitojnë nga shërbimet gjithëpërfshirëse mbështetëse të projektit.

Kush mund të aplikojë?

Të drejtë aplikimi kanë personat që:

  • Janë 18 vjeç ose më të vjetër.
  • Banojnë në komunën e Pejës, Istogut, Klinës, Gjakovës, Deçanit, Junikut ose Rahovecit.
  • Janë gra, persona me aftësi të kufizuara ose kujdestarë/e kryesorë/e të personave me aftësi të kufizuara.
  • Janë të papunësuar, kanë të ardhura të paqëndrueshme ose dëshirojnë të rrisin të ardhurat familjare përmes bujqësisë apo agrobiznesit.
  • Kanë përvojë në bujqësi, janë të angazhuar në një aktivitet familjar bujqësor ose janë të interesuar dhe të motivuar të fillojnë një aktivitet bujqësor.
  • Janë të gatshëm të marrin pjesë rregullisht në trajnim, mentorim, vizita studimore dhe aktivitete të tjera të projektit.

Përparësi do t’u jepet grave nga zonat rurale, personave me aftësi të kufizuara, kujdestarëve/e të personave me aftësi të kufizuara, familjeve me të ardhura të ulëta ose pa punësim të qëndrueshëm, aplikuesve me motivim dhe potencial për të zhvilluar aktivitete bujqësore të qëndrueshme dhe pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë.

Procesi i përzgjedhjes

Pjesëmarrësit do të përzgjidhen përmes një procesi transparent dhe të paanshëm. Aplikimet do të shqyrtohen nga një komision përzgjedhës, i cili do të vlerësojë përmbushjen e kritereve të pranueshmërisë, motivimin, interesin për bujqësi, mundësitë praktike për zbatimin e aktivitetit të propozuar dhe nevojën e aplikuesit për mbështetje. Kur të jetë e nevojshme, Syri i Vizionit mund të realizojë thirrje sqaruese ose vizita në familje për të verifikuar informacionet e dhëna në formularin e aplikimit.

Mënyra e aplikimit dhe afati

Aplikimet mund të dorëzohen përmes njërës nga mënyrat në vijim:

  • Online, duke plotësuar formularin e aplikimit në linkun: …
  • Fizikisht, duke plotësuar formularin e shtypur të aplikimit në zyrën e Syri i Vizionit: Sadri Kelmendi 48, 30000 Pejë
  • Përmes përfaqësuesve të projektit gjatë sesioneve informuese në komunat përkatëse dhe vendbanimet rurale.

Afati i fundit për aplikim është 2 Nëntor 2026, në orën 16:30.

Aplikuesit që kanë nevojë për ndihmë në plotësimin e formularit, përkthim, format të qasshëm ose përshtatje të arsyeshme për shkak të aftësisë së kufizuar, mund të kontaktojnë ekipin e projektit. Materialet dhe aktivitetet e projektit do të bëhen sa më të qasshme që të jetë e mundur dhe, kur të nevojitet, mund të ofrohet mbështetje gjuhësore për komunitetet joshumicë.

Informata dhe kontakt

Për informata të mëtejshme ose ndihmë për aplikim, ju lutem na kontaktoni gjatë ditëve të punës, nga e hëna deri të premten, në orarin 09:00-16:00:

  • Telefon: +383 (0)39 410 440
  • Email: abedin.imami@syriivizionit.org
  • Adresa: Sadri Kelmendi 48, 30000 Peje

 

 Ju mirëpresim të Aplikoni Online!

Për më shumë shfleto: Udhëzuesin dhe Formularin për Aplikim