Think Globally,
Act Locally

Komuna e Klinës dhe Syri i Vizionit forcojnë bashkëpunimin për moshën e tretë

Klinë, 14 Gusht-Komuna e Klinës dhe Organizata Joqeveritare Syri i Vizionit kanë formalizuar bashkëpunimin për zbatimin e programit AGE + project II – “Ndërtimi i komuniteteve miqësore për të moshuarit nëpërmjet veprimit ndër breza në Kosovë”, i cili zbatohet gjatë periudhës 2026–2028, me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancim nga Volkshilfe Solidarität.

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua nga Dr. Zenun Elezaj, Kryetar i Komunës së Klinës, dhe Veton Mujaj, Drejtor Ekzekutiv i Syri i Vizionit, duke formalizuar kështu zotimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit në mbështetje të qytetarëve të moshës së tretë.

Përmes këtij bashkëpunimi synohet promovimi i plakjes aktive dhe të shëndetshme, rritja e pjesëmarrjes së grave dhe burrave të moshuar në jetën komunitare dhe në proceset vendimmarrëse, si dhe përmirësimi i shërbimeve dhe mekanizmave lokalë që adresojnë nevojat e tyre.

Një komponent i rëndësishëm i programit është krijimi dhe funksionalizimi i Qendrës së Solidaritetit për të moshuarit, e cila do të shërbejë si hapësirë për socializim, aktivitete kulturore, edukative, shëndetësore dhe ndërgjeneratave, duke krijuar më shumë mundësi për aktivizimin dhe përfshirjen e të moshuarve në komunitet.

Po ashtu, përmes aktiviteteve ndërgjeneratave synohet të forcohet lidhja ndërmjet të rinjve,fëmijëve dhe të moshuarve, duke promovuar respektin, solidaritetin dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet brezave.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një komuniteti më gjithëpërfshirës, aktiv dhe miqësor ndaj të moshuarve në Komunën e Klinës, ku të moshuarit dëgjohen, përfshihen, kontribuojnë dhe vlerësohen.

Me këtë marrëveshje, Komuna e Klinës dhe Syri i Vizionit riafirmojnë përkushtimin e tyre për të ndërtuar një komunitet ku mosha e tretë nuk shihet vetëm si kategori përfituese, por si një pjesë aktive dhe e rëndësishme e jetës komunitare.