Think Globally,
Act Locally

Ngritje kapacitetesh për mbrojtjen e mjedisit me nxënësit e gjimnazit “Frang Bardhi”, Mitrovicë e Jugut

Mitrovicë, 12 nëntor 2025 – Në kuadër të “Shkollës së Aktivizmit Mjedisor”, nxënësit e Gjimnazit “Frang Bardhi” morën pjesë në një punëtori interaktive që synoi t’i fuqizojë për angazhim konkret në mbrojtjen e mjedisit dhe përballjen me ndryshimet klimatike.

Aktiviteti kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes së të rinjve përmes edukimit mbi të drejtat e qytetarëve, tranzicionin e gjelbër, parimet e ekonomisë qarkore, aktivizmin rinor dhe shkëmbimin e njohurive mes bashkëmoshatarëve.

Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit u njohën me sfidat e ndryshimeve klimatike dhe drejtësisë mjedisore, si dhe me mënyrat praktike për t’u bërë aktivistë të rinj: nga identifikimi i problemeve lokale mjedisore te zhvillimi i ideve dhe planeve të veprimit. Përmes diskutimeve ndërvepruese dhe ushtrimeve praktike, ata u inkurajuan të kontribuojnë në një mjedis më të pastër e të qëndrueshëm dhe të nisin iniciativa komunitare në shkollë dhe në lagje, duke promovuar agjendën e gjelbër me pjesëmarrje aktive qytetare.

Punëtoria u zhvillua me metoda dinamike – punë në grupe, lojëra me role dhe analiza rastesh – për të nxitur angazhim substancial dhe të nxënie aktive. Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit “Horizonte të Gjelbra – Nisma e Tranzicionit të Gjelbër nga të Rinjtë dhe Komuniteti në Kosovën Perëndimore”, të zbatuar nga Syri i Vizionit në partneritet me Care International Balkans, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, dhe me EC Ma Ndryshe si bashkë-zbatues.