Pejë, 26 tetor 2026 – Syri i Vizionit dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile në rajonin e Pejës shprehin indinjatën dhe shqetësimin e thellë për vrasjen e Arlinda Zekajt, duke kërkuar hetim të plotë të rastit, shqyrtim të veprimeve institucionale dhe llogaridhënie për çdo përgjegjësi eventuale.
Rasti bëhet edhe më shqetësues për faktin se, më 22 tetor 2026, Arlinda Zekaj i ishte drejtuar me shkrim Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke shprehur shqetësimet e saj dhe duke kërkuar ndërmarrjen e masave ndaj zyrtarëve që, sipas saj, nuk kishin përmbushur detyrat e tyre.
Pas vrasjes së saj, kjo shkresë ngre pyetje serioze që kërkojnë përgjigje nga institucionet përgjegjëse se:
- A u trajtuan me seriozitet shqetësimet e Arlindës?
- Çfarë veprimesh u ndërmorën pas pranimit të shkresës?
- A u vlerësua rreziku dhe a u ndërmorën të gjitha masat e nevojshme?
Kur një grua i drejtohet institucionit të drejtësisë për të shprehur shqetësimet e saj, ajo duhet të dëgjohet dhe të marrë përgjigje. Por ajo u vra, nuk u mbrojt, andaj, kërkojmë përgjegjësi dhe llogaridhënie se si u trajtua kërkesa e saj dhe nëse institucionet i përmbushën detyrimet ligjore.
Kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente që të sigurojnë hetim të plotë dhe profesional të vrasjes, të shqyrtojnë urgjentisht shkresën e Arlindës dhe të sqarojnë çdo veprim apo mosveprim institucional lidhur me shqetësimet e paraqitura. Çdo përgjegjësi eventuale duhet të përcaktohet në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe mbi bazën e fakteve.
Vrasja e Arlindës nuk duhet të mbetet vetëm një tjetër rast që përcillet me reagime publike dhe ngushëllime. Ajo duhet të shërbejë si alarm për domosdoshmërinë e reagimit në kohë, mbrojtjes efektive të grave dhe llogaridhënies institucionale.
“DERI KUR?!”
Deri kur gratë do të përballen me dhunë? Deri kur do të kërkohet drejtësi pasi të jetë humbur një jetë? Dhe deri kur shqetësimet e qytetarëve do të mbeten pa përgjigje të qartë?
Për ta shprehur dhimbjen dhe solidaritetin me Arlindën dhe familjen e saj, si dhe për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale, Syri i Vizionit dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile ftojnë qytetarët që t’u bashkohen në ndezjen e qirinjve, më 26 tetor, në orën 18:00, në sheshin e qytetit në Pejë.
Kjo ngjarje paqësore është një thirrje për të mos heshtur përballë vrasjes së grave dhe dhunës ndaj tyre, si dhe për të kërkuar që çdo shqetësim i ngritur nga gratë të trajtohet me seriozitet, institucionet të reagojnë në kohë dhe çdo përgjegjësi eventuale të zbardhet.
Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e Arlinda Zekajt. Solidarizohemi me ta dhe me të gjitha gratë dhe vajzat që përballen me dhunën, frikën dhe pasigurinë. Mbrojtja e jetës dhe dinjitetit të grave kërkon angazhim të vazhdueshëm nga institucionet dhe gjithë shoqëria.
Drejtësia nuk duhet të vijë vetëm pasi të jetë tepër vonë. Asnjë shqetësim nuk duhet të shpërfillet. Asnjë jetë nuk duhet të humbet për shkak të mosveprimit.