misli globalno,
deluj lokalno

Pejë, 18 nëntor – Organizata Syri i Vizionit, në kuadër të projektit “Horizonte të Gjelbra – Nisma e tranzicionit të gjelbër të udhëhequr nga të rinjtë dhe komuniteti në Kosovën Perëndimore”, organizoi sot në Pejë një tryezë diskutimi me temën “Plani Lokal i Veprimit në Mjedis (PLVM) i Pejës: Rritja e vetëdijesimit të të rinjve dhe angazhimi i të rinjve dhe i institucioneve në zbatimin e tij”.

Tryeza mblodhi përfaqësues të institucioneve komunale, nxënës të shkollave të mesme, përfaqësues të shoqërisë civile dhe media, me qëllim të diskutimit për prioritetet mjedisore të Komunës së Pejës, gjendjen e zbatimit të PLVM-së dhe mundësitë për përfshirjen më aktive të të rinjve në realizimin e tij.

Gjatë hapjes së tryezës, Naser Lajqi nga Syri i Vizionit dhe Melita Bytyqi, menaxhere e projektit “Horizonte të Gjelbra”, theksuan rëndësinë e angazhimit të të rinjve në çështjet mjedisore dhe nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet të rinjve, institucioneve dhe shoqërisë civile. Ndërsa, Egzona Shala Kadiu prezantoi qëllimin e tryezës dhe elementet kryesore të PLVM-së, duke përfshirë veprimet konkrete, afatet, buxhetin dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e tij. Ajo gjithashtu prezantoi gjetjet kryesore të raportit “Tranzicioni i gjelbër dhe i drejtë: Hulumtim pjesëmarrës për identifikimin e sfidave dhe mundësive kryesore – me fokus në Kosovën Perëndimore”.

Për prioritetet e Komunës së Pejës në zbatimin e PLVM-së foli Blerta Begolli nga drejtoria përkatëse e Komunës së Pejës, e cila trajtoi veprimet e planifikuara, kapacitetet institucionale dhe mundësitë për përfshirjen e të rinjve në adresimin e sfidave mjedisore. Në diskutim kontribuoi edhe Donjeta Berisha, ish-drejtoreshë e Inspektoratit, duke ndarë perspektivën dhe përvojën e saj lidhur me çështjet mjedisore dhe rëndësinë e zbatimit të përgjegjësive institucionale.

Ndërsa, përfaqësuesit e nxënësve nga shkollat e mesme të Komunës së Pejës prezantuan shqetësimet e të rinjve lidhur me gjendjen e mjedisit, si dhe idetë dhe propozimet e tyre për përmirësimin e situatës dhe përfshirjen aktive në zbatimin e PLVM-së.

Diskutimi u përqendrua në nivelin e informimit të të rinjve për PLVM-në, pengesat në zbatimin e tij, nevojën për koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve dhe rëndësinë e krijimit të mundësive konkrete që të rinjtë të jenë pjesë e proceseve vendimmarrëse dhe aktiviteteve mjedisore.

Në përfundim të tryezës, pjesëmarrësit identifikuan një sërë rekomandimesh që synojnë rritjen e informimit dhe vetëdijesimit të të rinjve përmes shkollave, mediave dhe rrjeteve sociale, krijimin e mekanizmave të rregullt për konsultimin dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrjen mjedisore, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunës, shkollave, organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve rinore, si dhe sigurimin e mbështetjes financiare dhe monitorimin e rregullt të zbatimit të planit.

Një nga rekomandimet kryesore të tryezës ishte themelimi i një grupi monitorues, i cili do të përcjellë në baza vjetore zbatimin e Planit Lokal të Veprimit në Mjedis (PLVM), do të identifikojë progresin dhe sfidat dhe do të iniciojë realizimin e aktiviteteve konkrete në funksion të përmbushjes së objektivave të planit.

Po ashtu, u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, si dhe për krijimin e partneriteteve më të qëndrueshme ndërmjet komunës, shoqërisë civile dhe komunitetit, me theks të veçantë në përfshirjen aktive të të rinjve në monitorimin dhe zbatimin e prioriteteve mjedisore të Pejës.

Tryeza u organizua në kuadër të projektit “Horizonte të Gjelbra – Nisma e tranzicionit të gjelbër të udhëhequr nga të rinjtë dhe komuniteti në Kosovën Perëndimore”, i cili bashkëfinancohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe zbatohet nga CARE Deutschland e.V., Zyra në Kosovë (CARE), në bashkëpunim me partnerët lokalë Syri i Vizionit  dhe Emancipimi Civil Ma Ndryshe (EC Ma Ndryshe).