mendo globalisht,
vepro lokalisht

U mbajt takimi i Asamblesë Komunale të Fëmijëve në Gjakovë

17 tetor 2025 – Në Komunën e Gjakovës u zhvillua takimi i Asamblesë Komunale të Fëmijëve (AKF), me fokus në çështje që lidhen me fillimin e vitit të ri shkollor dhe me të drejtat e fëmijëve në komunitet. Takimi kishte për qëllim ri-konstituimin e Asamblesë, pas përfundimit të mandatit të anëtarëve të mëparshëm që ndërkohë kanë vijuar shkollimin e mesëm.

 

Gjatë mbledhjes u zgjodh kryesia e re e AKF-së:

Kryetare: Ergisa Himaj (Shkolla “Yll Morina”)

Nënkryetare e parë: Betina Kolmeleshaj (Shkolla “Shaban Golaj”)

Nënkryetare e dytë: Florida Krasniqi (Shkolla “Isa Boletini”)

Sekretar: Leotrim Sahitaj (Shkolla “Dëshmorët e Hereqit”)

Arkëtar: Edon Avdyli (Shkolla “Jahe Salihu”)

 

Pjesëmarrësit adresuan nevojat dhe shqetësimet nëpër shkolla, përfshirë përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe furnizimin me tekste. U theksua gjithashtu rëndësia e funksionimit të Ekipit për të Drejtat e Fëmijëve në nivel komunal dhe domosdoshmëria e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional për trajtimin e sfidave që ndikojnë te fëmijët.

 

Në përmbyllje, u vendos forcimi i komunikimit ndërmjet anëtarëve të AKF-së dhe mbajtja e takimeve të rregullta — si fizike ashtu edhe online — me synim që zëri i fëmijëve të dëgjohet më qartë dhe çështjet e tyre të adresohen me kohë.

 

Kryetarja e sapozgjedhur, Ergisa Himaj, falënderoi për besimin dhe deklaroi: “Premtoj se do ta vazhdoj këtë detyrë me shumë përkushtim dhe me krenari, duke përfaqësuar zërin e fëmijëve të komunës sonë.”

 

Takime të ngjashme do të organizohen edhe në komuna të tjera, në kuadër të projektit “Detyrimi ynë për të Ardhmen – Mbrojtja e Fëmijëve dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës”, i zbatuar nga Syri i Vizionit, në partneritet me Save the Children – Zyra në Kosovë, dhe i financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).